Prishtinë, 24 prill, NOA - Lëvizja Vetëvendosje ka uruar sot të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve. Në mënyrë të veçantë Vetëvendosje uron “besimtarët shqiptarë kudo ndodhen, le t’i gjejë ky urim të bashkuar, në këtë ditë që sjell dashuri për njëri-tjetrin dhe për kombin”.
Duke vlerësuar këtë festë Vetëvendosje shprehet se mësimet e Krishtit duhet të zbatohen në shoqërinë shqiptare.
“Kjo ditë duhet të na përkujtojë në mësimet e Krishtit, për dashurinë dhe solidaritetin për njëri-tjetrin, dhe të na e fisnikërojë shpirtin tonë në përpjekje drejt lirisë kombëtare, drejtësisë shtetërore dhe barazisë sociale. Kjo ditë ngjall shpresë e cila duhet të kthehet në angazhim”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.
Më tej në deklaratë theksohet se ky moral është më i domosdoshëm; “Sot kur shoqërinë tonë e ka përfshirë skamja, mjerimi dhe kriza e vlerave, më shumë se kurrë kemi nevojë për solidaritet e veprim konkret. Për urtësinë dhe udhëzimet morale të librave të shenjtë sot ka nevojë politika më shumë sesa populli. Aty shkruan besoje Zotin dhe duaje vendin tënd; mos i bë keq tjetrit dhe mos vidh”.
a.k/NOA