English

Vrasja në prag Pashke, policia: Kolegu ynë ishte i dehur

Kurbin, 24 Prill 2011 NOA/ Ardian Bushi – Vrasësi i mbrëmjes së djeshme në Mamurras, e kreu krimin ndaj 40 vjeçarit Shahin Gjeçukaj, ndërsa ishte nën avujt e alkoolit.

Pohimin e bënë sot burime nga policia të cilat thanë se është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit, Alket Hajdari, 36 vjeç, me detyrë polic në burgun e Fushë Krujës, si dhe është bërë i mundur sekuestrimi i armës se zjarrit.

Hajdari u arrestua pasi një 40 vjeçar mbeti i vrarë dje në mbrëmje, kur ai u qëllua me armë zjarri. Korrespondenti i agjencisë NOA informoi se mbrëmjen e së shtunës rreth orës 19.30, në afërsi të shkollës 9 vjeçare mbeti i plagosur me armë zjarri Shahin Gjeçukaj rreth 40 vjeç, banues ne Laç rrethi Kurbin, i cili gjeti vdekjen rrugës për në spital.

Në vendngjarje forcat e policisë kryen veprimet e para hetimore nga doli se ngjarja ka ndodhur për motive banale. Ka qenë një konflikt i çastit mes viktimës dhe policit të burgjeve, në një lokal në afërsi të shkollës “Migjeni” në Mamurras.

Polici në gjendje të dehur ka debatuar me Gjocukajn, të cilin më pas e ka qëlluar për vdekje.

Viktima kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur nga Greqia, ku jetonte dhe punonte prej disa vitesh, ndërsa kishte edhe 2 fëmijë, me vdekjen e tij, të mbetur jetimë.

I dyshuari i vrasjes është dorëzuar duke mos bërë rezistencë, së bashku me armën e shërbimit, duke pranuar autorësinë e krimit.

Policia tha se materialet do t’i kalojnë për veprime te mëtejshme Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Kurbin.

a.b/e.t/NOA

KOMENTE