Tiranë, 25 prill 2011, NOA - Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Saimir Tahiri e akuzoi kandidatin demokrat për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha se u mbrojt në mënyrë qesharake ndaj akuzave për pasaportën e tij amerikane dhe mosdeklarimit të pasurisë. Deputeti socialist bëri me dije se Lulzim Basha nuk i dha përgjigje një sërë pyetjesh që e implikojnë atë në mashtrim ose në pastrim parash. Deputeti Tahiri i drejtoi 7 pyetje kandidatit Lulzim Basha duke i kërkuar të përgjigjet, pasi sikundër argumentoi Tahiri, një njeri që gënjen për pasurinë e tij, nuk e ka problem të gënjejë përsëri për të vjedhur pasurinë e të tjerëve.
“Këtë rracë politikani që drejtësisë i fshihet me imunitet e që popullit i fshihet pas plumbave, duke mbijetuar me vjedhjeve votash dhe manipulim zgjedhjesh, shqiptarët do e nxjerrin para drejtësisë me votë në 8 Maj”, deklaroi në një konferencë për shtyp deputeti socialist.
Ai e akuzoi Lulzim Bashën se është kandidati demokrat më i përlyer nga skandalet, mashtrimet dhe vjedhjet në 20 vitet e historisë së pluralizmit në Shqipëri.
Këtu Tahiri nënvizoi se i vetmi justifikim që dha zyra e kandidatit demokrat Basha ishte gabimi i një noteri holandez në lidhje me pasaportën e tij.
Në këtë kontekst Tahiri drejtoi shtatë pyetjet të cilave duhet t’u japë përgjigje kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryebashkiak të Tiranës Lulzim Basha.
Përse shtëpinë që e bleu në Hollandë për vlerën 450.000 Gulden, e ka deklaruar në Shqipëri sikur e ka blerë për 510.000 Gulden, plot 60.000 Gulden më shumë?
Përse shtëpinë që shiti në Hollandë në vitin 2008 e deklaroi të sikur e kishte shitur në vitin 2007?
Si ka mundësi që shtëpinë e shitur në vitin 2007 e shiti në vitin 2008, me po të njëjtin çmim e vlerë që e kishte deklaruar një vit më parë, në vitin 2007?
Ku i gjeti paratë për të shlyer kredinë bankare të marrë në një bankë Hollandeze një vit përpara se të shiste shtëpinë?
Përse deklaroi se kredinë e shleu me paratë e shtëpisë që nuk kishte shitur ende e që do e shiste një vit më vonë?
Si ka mundësi që si ministër, ka detyruar shtetin shqiptar ta pajisë me 3 pasaporta diplomatike, të treja të vlefshme njëkohësisht?
Për cilat arsye i duheshin Lulzim Bashës 3 pasaporta të ndryshme, të trija diplomatike, të trija të vlefshme?
mit/NOA