Gjithçka është gati për koncertin e reperit Busta Rhymes në Prishtinë. Salla “1 Tetori” të hënën mbrëma do të dridhet nga muzika e njërit prej reperëve më të mirë në botë. Organizatorët kanë e parashikuar si njërin prej koncerteve më të mëdha që do të mbahet gjatë këtij viti në Kosovë.
Ardhja e reperit në Prishtinë ishte përcjellë me paqartësi. Në fillim ishte paralajmëruar se ai do të mbante koncertin më 29 prill, por më pas ishte njoftuar se ai do t’i anulonte koncertet nëpër Evropë. Më vonë ishte bërë e ditur se koncerti në Prishtinë do të mbahet më 25 prill.
Organizatorët kanë konfirmuar se para reperit të njohur do të performojnë këngëtarë dhe grupe kosovare, si Kaos, Tuna, Dafina Zeqiri, Bim Bimma, MC Kresha, Lyrical Son, Ergener dhe Dust, Tds, Big Busta, Samanta, Nogabeatbox, Big D, Dj Blund dhe Real 1. Busta Rhymes ka lindur më 20 maj 1972, ndërsa karrierën muzikore e ka filluar në moshën 16 vjeçare. Emri i tij i vërtetë është Trevor Tahiem Smith, Jr.
Përveç karrierës në rep, ai ka aktruar në disa filma, ndërsa është edhe producent dhe tekst-shkrues.
Busta Rhymes njihet me super hitet, si Break Ya Neck, Touch it, Gimme Some more, Arab Money, Pass The Courvoisier, Fire it up etj. Gjithashtu, Busta Rhymes ka realizuar edhe dy hite të reja, atë me Tiesto, C`mon, si dhe Look at me Now me Lil Wayne dhe Chris Brown.
Me ardhjen e Busta Rhymes në Kosovë, do të shtohet edhe një emër në listën e reperëve të famshëm që kanë performuar në Prishtinë, si 50 Cent, Fat Joe, Snoop Dogg e Fatman Scoop.
Koncerti në Prishtinë organizohet nga Full House dhe NextLevel. Sponsor gjeneral i koncertit është kompania IPKO, kurse sponsor medial i koncertit është edhe gazeta e Kosovës, “Express”.