English

Ismail Kadare: “Koncerti” im nuk ka racizëm

“Është romani im më i rëndësishëm”, thotë Ismail Kadare për “Koncert në fund të dimrit”, romanin e njohur, që së fundi u bë objekt debatesh, pas polemikave për racizmin me ambasadorin e SHBA-ve, Alexander Arvizu. Shkrimtari i njohur rrëfen për “Panorama” historinë e botimit dhe dënimin e romanit të tij në vitet ’80.

Në polemikën e shpërthyer këto ditë në lidhje me ambasadorin amerikan Arvizu, për çështje racizmi, është përmendur shpesh romani juaj “Koncert në fund të dimrit”. Cili ka qenë reagimi juaj si autor i veprës? Një keqardhje e thjeshtë, e njohur për çdo shkrimtar, kur vepra e tij përdoret në diskutime apo rrethana, ku ajo nuk e ka vendin.

Kjo vepër është shkruar rreth 30 vite më pare. Një kohë të gjatë ka qenë e ndaluar. A mund të na thoni diçka për lexuesin e sotëm? Natyrisht. Romani është shkruar në vitet 1979-1981, paralelisht me “Pallatin e ëndrrave”. Dorëshkrimi është gjykuar si armiqësor dhe botimi është ndaluar për një kohë të gjatë. Është botuar më në fund, pak kohë para rënies së komunizmit. Është, ndoshta, romani im më i rëndësishëm. Kurse për nga guximi, zë, pa dyshim, vendin e parë. Nuk di ndonjë roman tjetër të shkruar gjatë regjimit komunist, në gjithë ish-perandorinë komuniste, ku të ketë aq shumë tmerr, përgjime, terror shtetëror, vrasje, madje vrasje në kupolën më të lartë të shtetit komunist.

E keni fjalën për vrasjen e zëvendësit të Maos, për të cilën u hap fjala se vdiq në aksident ajror, kurse në të vërtetë u dyshua për vrasje kriminale? Pikërisht. Ky është episodi qendror në roman. Është përshkruar me hollësi se si pasardhësi i Maos u thirr për darkë prej shefit të tij dhe, pas darke, u vra. Ngjan me historinë e Makbethit? Sigurisht që ngjan, dhe në libër kjo thuhet haptas. Madje, për t’ia kujtuar gjithkujt këtë ngjashmëri, fill pas kapitullit të vrasjes pas darke, vjen një kapitull i titulluar: “Version i ri i tragjedisë ‘Makbeth’”. Në të shpjegohet fare qartë se vrasja në pallatin e Maos ngjan si dy pika uji me atë që përshkruan Shekspiri. I vetmi ndryshim është se ndërsa në dramën angleze Makbethi vret mbretin, në versionin komunist kinez është mbreti (domethënë, Mao), që tregohet më i shpejtë dhe e vret pasardhësin (Makbethin).

Është e rastit ngjashmëria me vetëvrasjen apo vrasjen e kryeministrit shqiptar në dhjetor 1981? Krejtësisht e rastit. As që mund të mendohet ndryshe. E kam dorëzuar dorëshkrimin në nëntor të vitit 1981, dhe pas disa javësh ka ndodhur vdekja enigmatike e kryeministrit. Mendimi i parë që më erdhi kur dëgjova lajmin, ishte pikërisht ky përkim fatal. Sidomos, kur qysh të nesërmen nisi të përhapet pëshpërima se vdekja e kryeministrit mund të mos ishte vetëvrasje. Desha ta tërheq dorëshkrimin, por ishte e pamundur.

Ç’mendoni sot kur lexoni vërejtjet për dorëshkrimin? Ato ishin në logjikën e asaj kohe. Duke i dëgjuar ashtu siç u lexuan në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, mendoja se ata kishin të drejtë. Skandaloze më dukej pakujdesia ime për ta çuar për botim romanin në kohën më të gabuar që mund të mendohej. Po hynte viti 1982, një nga më të errëtit që ka njohur vendi. Në muajin shkurt, në mos gaboj, u ndalua “Pallati i ëndrrave”. E vetmja gjë që doja ishte që dorëshkrimi i romanit të harrohej. Por, siç mund ta dini, e keqja nuk mund të harrohej kurrë në Shqipëri. Shumë shpejt afroi dita e vërejtjeve që keni botuar ju. Romani ishte i pambrojtshëm dhe unë s’bëra as përpjekjen më të vogël për një gjë të tillë.

A u bë kritikë për racizëm antikinez? Po për ngjashmërinë e “pasardhësit kinez” me “pasardhësin shqiptar”? Kritika për racizëm u bë, por ajo ishte e durueshme, jo fort e rrezikshme. Kurse për çështjen më delikate, dyshimin për vrasjen e “pasardhësit”, nuk u tha asnjë fjalë. Kështu ndodhte gjithmonë, gjëja më e rrezikshme nuk përmendej. Të gjithë aty e kishin mendjen, por një paralizim i përgjithshëm bënte që pikërisht ajo të mos thuhej me fjalë. Atij që do të guxonte të thoshte, mund t’i bëhej pyetja fatale: përse të ka shkuar mendja në një gjë të tillë? Si mund të hidhej dyshimi se udhëheqësi ynë mund të bënte atë që kishte bërë udhëheqësi kinez? Ishte kjo që zhbirimi i dorëshkrimit nuk u thellua më tej. Ishte e rrezikshme për të gjithë, madje mund të qëllonte, që më të zellshmit mund ta pësonin. Sa për racizmin, ai ishte në të vërtetë ideologjik. Sarkazma dhe talljet, siç thuhet në dokumentin që botoni ju, kanë lidhje me socializmin dhe jo me kinezët si komb. Por, për arsyen që u përmend më lart zëvendësimi ishte komod.

Sidoqoftë, fakti që përshkruhen ngjarje të Kinës ju lehtësonte. Ndryshe do të ishte po të bëhej fjalë për ngjarje të vendit? Ngjarjet në roman zhvillohen në Shqipëri dhe në Kinë. Sigurisht që tmerret e mëdha, si vrasja pas darke, ndodhte në Pallatin e Verës në Pekin, dhe jo në Bllokun e Tiranës. Megjithatë, ishte i njëjti sistem politik, i njëjti stil terrori, kishte qenë aleati ynë i madh. Kështu që mendja për ngjashmëri shkonte vetvetiu, dhe vërejtje për këtë ishin bërë. Mos harroni se ne u ftohëm me kinezët kur ata bënë një hap liberal, ftesën e presidentit amerikan. Pra në punë dogmatizmi ne ishim më keq se ata.

Cili ishte fati i mëtejshëm i romanit? Romani u botua më pas. Në Shqipëri në fillim, pastaj kudo. Ka qenë befasues për faktin se në botën perëndimore, ku aq shumë shkrimtarë e filozofë të shquar, nga Sartri tek Roland Barthes e të tjerë, nuk i shpëtuan dot simpatisë për maoizmin, Shqipëria kulturore, si të kryente një borxh moral, a të shlyente një faj, dha një tablo tronditëse të nënkontinentit komunist. Mund të thuhet kështu se letërsia shqipe ishte ndoshta e para që lajmëroi botën për më të madhen dhunë kulturore në historinë e njerëzimit: hekatombën kundër shkrimtarëve kinezë. Ishin jo me qindra, por me dhjetëra mijë shkrimtarë kinezë që u burgosën, u hoqën zvarrë nëpër orizore, u torturuan e u çmendën nga terrori shtetëror. Ndaj, ky libër, jo vetëm nuk ka racizëm, por duke trajtuar një dhembje të madhe të Kinës, është në thelb prokinez. Ndaj, kur përkthyesit kinezë të “Koncertit…”, m’u drejtuan me kërkesën për një përshëndetje për lexuesit e Kinës, kjo ka qenë shumë prekëse, jashtëzakonisht prekëse për mua.

KOMENTE