Nga Skënder Minxhozi
Më 8 maj, katër karriera politike ndodhen në garë. Nga pikënisje të ndryshme, me interesa e objektiva të kundërt, ose, në rastin më të mirë, të ndërthurura mes tyre, këto parabola figurash dominuese në jetën tonë politike do të maten në kutitë e votimit në një klimë, e cila më shumë se kurrë, nuk ofron qetësi dhe kthjelltësi për të ardhmen.
Kryeministri dhe qeveria e tij vijnë më 8 Maj të lodhur e thellësisht të demotivuar. Fushata me tone të ulura që Berisha po zhvillon, përtej taktikës elektorale që ka brenda, pasqyron një dozë të mirë entuziazmi të rënë dhe apatie e skepticizmi. I paralajmëruar fort nga ndërkombëtarët që t’i shohë me shumë kujdes standardet në këto zgjedhje, Berisha po përpiqet ta kalojë disi këtë lumë elektoral, në pritje të vitit të ardhshëm, kur do të mbarojë mandati i Presidentit dhe ai i Prokurorit të Përgjithshëm dhe kur zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 do të jenë shfaqur në horizontin e politikës shqiptare. Natyrshëm, Berisha i mendon këto pika të axhendës së tij politike. Po kaq natyrshëm, ai kërkon që të arrijë deri atje me sa më pak tension politik, kriza dhe surpriza të tjera të pakëndshme, që një opozitë agresive e jo bashkëpunuese mund të krijojë rrugës.
Vetë Berisha, me shumë gjasë, do të donte një PS të qetë pas 8 Majit. Thjesht për komoditetin e tij. E kjo arrihet më së pari duke i “lënë” asaj të paktën një pjesë të qyteteve të mëdha që qeveris tani. Duke nisur nga Tirana, natyrisht. Gjithnjë nëse mund të flitet për një nocion të tillë në këto zgjedhje. Por kjo dëshirë për pak më shumë paqe nën ullinj, përplaset me një tjetër tundim të fortë për të: atë të destabilizimit afatgjatë të PS-së, duke larguar Ramën nga Bashkia dhe duke e ekspozuar atë ndaj kritikave të forta të brendshme. Me një kusht ama: që vetë opozita të mos përfshihet nga agresiviteti i kontestimit të zgjedhjeve (ndoshta edhe në ditën e votimit), çka do të dëmtonte në mënyrë të pashmangshme edhe mazhorancën.
Edi Rama luan edhe një herë gjithçka në këtë poker elektoral të radhës. I mësuar që asnjëra prej betejave të tij të mos jetë banale, të paktën nga pikëpamja e riskut politik, ai e di mirë se, nëse nuk fiton të paktën mandatin e katërt në bashki, e ardhmja e tij në krye të opozitës mund të jetë seriozisht e kompromentuar. Ai e kujton fort mirë sesa shpenzim energjie iu desh në verën e vjeshtën e vitit 2009, për të bindur pjesën dërrmuese të partisë se ajo që ndodhi më 28 qershor nuk qe një humbje, por një fitore e vjedhur. Vetëm retrospektiva e atij momenti të vështirë për karrierën e tij personale, duhet të ketë efektin e një filmi horror në sytë e kryetarit socialist. Ai e di se kjo hapësirë kontestimi eventual tashmë është edhe më e vogël se më 2009-ën dhe se do të jetë edhe më e vështirë që të binden dy herë rresht shqiptarë e të huaj, se atij iu vodhën votat.
Nga ana tjetër, Rama dhe PS-ja hyjnë në këto zgjedhje me barrën morale të një beteje thuajse dyvjeçare për transparencë, e cila thjesht dështoi. Pasi kërkuan me ngulm, në Kuvend, në greva urie e dhjetëra protesta të mëdha e të vogla, verifikimin e zgjedhjeve të vitit 2009, pasi më në fund fare, kur u pa se do të shkohej në zgjedhjet lokale, pretenduan që kushti i shkruar i hapjes së kutive të blindohej edhe më qartë nga palët, socialistët panë se asnjëra prej këtyre kërkesave nuk u realizua. Rama dhe PS-ja kanë tashmë barrën që të përballen jo vetëm me Berishën e Metën njëherësh, por edhe të ngjisin malin e lartë të një procesi zgjedhor plot hije, dyshime e frikë, ndërsa ndërkombëtarët praktikisht e legjitimuan këtë katrahurë të paralajmëruar.
Dy fateve politike qendrore në këto zgjedhje, u qëndrojnë anash edhe dy karriera personazhesh që luajnë jo pak nga imazhi dhe e ardhmja e tyre politike më 8 Maj.
Ilir Meta, dikur njeriu i katër votave të arta, sot lufton për mbijetesën elektorale. Meta ka zhvilluar një fushatë agresive, e cila natyrshëm gjeneron energji brenda strukturave të LSI-së, por pasqyron njëherësh edhe mungesën e kuptueshme të qetësisë që kjo forcë politike ka në lidhje me të ardhmen e saj imediate. Meta e ka të qartë se në këto zgjedhje nuk rrezikon vetëm të humbë shumë nga dhjetë bashkitë ku Berisha i ka hapur rrugë. Nëse rezultati i tij elektoral do të jetë i dobët, rreziku më iminent për LSI-në është marrëdhënia e saj me PD-në. Kjo sepse demokratët nuk do të donin të kishin barrë mbi vete një forcë politike që i ka detyruar të bëjë disa zhvendosje në kabinet dhe që ka prodhuar një skandal të përmasave të mëdha. Meta luan, me shumë gjasë, një betejë finale për veten dhe partinë që krijoi në vitin 2004, me plane shumë të ndryshme nga projekti i rrezikuar që mban sot ndër duar.
Në krah të tij, por jo me të njëjtat probleme, në këto zgjedhje ndodhet në votim edhe fati politik i Lulzim Bashës. Ashtu siç pritej, fushata e ish-ministrit të Brendshëm po provon idenë se nuk është ai kandidati më i fortë që Rama ka pasur përballë në garën dhjetëvjeçare për bashkinë. Basha po përpiqet ta përdorë këtë fushatë si një vitrinë personale, si dhe të arrijë të konsolidojë objektivin e të tij të fshehur, por më të vërtetin: të kalojë në shifra rezultatin e Sokol Olldashit të vitit 2007. Ai e di mirë se mosha e re dhe precedenti i vetë Olldashit i japin shpresë se ky rrëzim i mundshëm s’do të jetë me pasoja fatale për karrierën e tij politike të ardhshme. E cila, në rast të një rezultati dinjitoz në Tiranë, mund të vijojë me konsolidimin e figurës alternative për kryetarin e ardhshëm të PD-së, kur Berisha të ketë vendosur tërheqjen.
Gazeta “Mapo”