Tiranë, 25 prill 2011, NOA – Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot dekretet e presidentit të Republikës Bamir Topi për emërimin si ministër i Brendshëm të Bujar Nishanit dhe shkarkimin e tij nga detyra e ministrit të Drejtësisë dhe po kështu edhe shkarkimin nga detyra e ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, i cili la mandatin e deputetit dhe postin e ministrit në fillim të fushatës elektorale.
Seanca e shkurtër parlamentare ku merrnin pjesë 124 deputetë, u drejtua nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
Pas çeljes së votimit elektronik, Bujar Nishani u emërua ministër i Brendshëm me 73 vota pro.
Deputetët votuan edhe për dekretet për shkarkimin e ish-ministrit Basha nga posti i ministrit dhe atë të ish-ministrit të Drejtësisë.
Seanca e Kuvendit zgjati gati dhjetë minuta dhe u mblodh vetëm për shqyrtimin e dekreteve më të fundit të presidentit, duke ditur se në vigjilje të zgjedhjeve është tejet e nevojshme moslënia vakant e postit të titullarit të Ministrisë së Brendshme.
Aq më tepër kur kjo fushatë zgjedhore ka nisur me incidente të shumta, me grisje posterash e flamujsh, por edhe me incidente me armë.
Ministri Nishani rikthehet kështu në postin e ministrit të Brendshëm pas më pak se dy vitesh, kur ai e la detyrën pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të vitit 2009, pas të cilave do të merrte portofolin e ministrit të Drejtësisë.
Ndërkohë deputetët rrëzuan dekretin e presidentit Topi për akcizën.
Më pas Kryetarja e Kuvendit e mbylli seancën me qëllim që deputetët të shpërndaheshin në zonat e tyre për fushatën elektorale, kur zgjedhjet e 8 majit janë më pak se dy javë larg.
mit/NOA