Tiranë, 25 prill 2011, NOA – Pas votimit me 73 vota në Kuvend, ministri i Brendshëm Bujar Nishani u betua këtë pasdite para presidentit të Republikës Bamir Topi për emërimin e tij në këtë detyrë.
Betimi i ministrit të Brendshëm u bë në presidencë në prani të Presidentit Topi, Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, Aleksandër Flloko dhe anëtarëve të tjerë të Kabinetit të Presidentit.
Si në çdo rast të tillë ceremonia nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe leximin e dekretit përkatës të emërimit.
Presidenti Topi pas betimit të Bujar Nishanit si ministër i Brendshëm dhe dorëzimit të dekretit të emërimit, i uroi ministrit Nishani, suksese në detyrën e lartë dhe të rëndësishme.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani rikthehet në këtë detyrë pas më pak se dy vjetësh, falë edhe vlerësimeve që ai ka marrë nga ndërkombëtarët gjatë ushtrimit të titullarit të Ministrisë së Brendshme në mandatin e shkuar qeverisës.
Tashmë pritet që kryeministri Berisha të emërojë edhe dy ministrat e rinj të qeverisë, atë të Drejtësisë, i cili mbeti vakant pas emërimit të Bujar Nishanit si ministër i Brendshëm dhe emrin e ri që do të drejtojë ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post i mbetur bosh pas lënies së kësaj detyre nga Ferdinand Xhaferraj, për shkak të kandidimit të tij për kryebashkiak të qytetit të Durrësit.
mit/NOA