Monza, 25 Prill NOA - E kanë gjetur të trembur, e të mbledhur pas një shtylle drite, të traumatizuar nga zhurma dhe trafiku.
Në këtë situatë, agjentët e policisë provinciale në Monza të Italisë, kanë shpëtuar këtë këlysh dhelpre, që nuk kishte gjetur më guvën e tij.
Shpëtimtarët e tij janë të idesë se, ai ka qenë në shoqërinë e mamasë dhe të vëllait, që me sa bëhet e ditur për fat të keq është përplasur nga një makinë teksa po kalonin rrugën. Mamaja e terrorizuar është larguar me vrap dhe këlyshi i vogël me sa duket mbeti në vend, duke humbur.
Për momentin ai është i sigurt dhe është transportuar menjëherë në qendrën “Recupero Fauna Selvatica”, ku iu nënshtrua kurimeve të para dhe u ushqye.
r.b/NOA