Prishtinë, 25 prill, NOA - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka reaguar ndaj kërkesës së Vetëvendosjes, e cila ka kërkuar që ai të jap dorëheqja për shkak të fajësisë për dhunën e policisë ndaj shikuesve në ndeshjen basketbollistike Prishtina-Bambi. Rexhepi, siç raporton sot, ‘Koha Ditore’, nuk ka dashur t’ia dijë për kërkesën e “Vetëvendosjes” që ai të japë dorëheqjen....
“Unë nuk i dëgjoj fjalët e ‘Vetëvendosjes’, sepse kam punë më të rëndësishme sesa t’i dëgjoj fjalët e tyre, kështu që absolutisht ato nuk i kam regjistruar fare në tru, veç hyrje-dalje”, ka thënë Rexhepi për gazetën.
“Vetëvendosja” është subjekti i tretë më i votuar në zgjedhjet e fundit të Kosovës.Ministri Bajram Rexhepi e ka hedhur poshtë atë që e ka thënë “Vetëvendosje” se Policia e Kosovës nuk i trajton njëjtë shqiptarët dhe serbët.
“Policia ka tretman për të gjithë dhe ajo është e të gjithë qytetarëve, pavarësisht komuniteteve që u takojnë dhe kanë detyrë profesionale që ta bëjnë sigurinë, rendin dhe ligjin. Natyrisht që në pjesën veriore ka nga pak shmangie për arsye që i dimë të gjithë dhe për këtë çdoherë ndokush mundet të japë kritika, por kjo është përgjegjësi e përbashkët me EULEX-in dhe për këtë të gjithë jemi të vetëdijshëm për situatën se çfarë është”, ka thënë Rexhepi. “Përndryshe nuk ka dallim se cilit komunitet i takojnë qytetarët”.
Për sa i përket intervenimit të së enjtes në Prishtinë, ministri i Brendshëm ka treguar se ai rast tashmë është duke u hetuar.
“Sa u përket veprimeve të policisë është duke u bërë hetimi sipas standardeve të Policisë dhe Inspektoratit policor dhe nëse është tejkaluar forca ne presim rezultate dhe atëherë sigurisht që ata do ta marrin dënimin konform standardeve të Policisë dhe raportit të Inspektoratit”, ka thënë Rexhepi.
“Mirëpo në anën tjetër askush nuk e arsyeton vandalizmin e disa adhuruesve ose simpatizantëve të ‘Plisave’ që kanë shkaktuar edhe thyerje të automjeteve dhe të dritareve të qendrës ‘Boro-Ramizi’ dhe po ashtu djegien e një automjeti, kështu që edhe ata për veprimet e veta do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me gjyqin”.
NOA