Kamëz, (Tiranë), 25 Prill, NOA – Një vajzë 23-vjeçare dhe një i afërm i saj janë dhunuar në mënyrë barbare nga tre persona në Kamëz. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Laknas të Kamzës. Trëndafile Dragjoshi, 23 vjeç dhe Hysni Dragjoshi, 47 vjeç janë rrahur dhe goditur me sende të forta nga tre persona të tjerë banues të fshatit, për motive të dobta.
Ata janë; Arben Haxhi Koka, 36 vjeç, Vladimir Besim Koka, 30 vjeç, të dy lindur në Dibër e banues në Laknas dhe Fatbardh Rasim Koka, 19 vjeç, lindur e banues në Laknas të Kamzës.
Ata e kanë goditur vajzën 23-vjeçare me sende të forta në trup dhe në kokë. Ndërsa më pas është përdorur dhe thika. Sipas policisë, Fatbardh Koka ka goditur Trëndafile Dragjoshi me thikë, në pjesën e dorës, duke i shkaktuar plagosje të lehtë.
Pas njoftimit policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimin dhe ka ndaluar tre agresorët. Ndërkohë që ende nuk janë sqaruar rrethanat dhe motivet e sherrit. Zyrtarisht bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Ndaj tre pessonave ka nisur procedimi penal.
a.k/NOA