Tiranë, 25 prill 2011, NOA – Sa më shumë sport të shëndetshëm të bëjmë aq më shumë i largohemi sëmundjeve dhe mjekut. Duket që kjo ide e njohur përqafohet shumë nga kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në njësinë bashkiake nr. 5 në Tiranë, Erisa Xhixho, e cila u premtoi banorëve të zonës ku ajo garon se do të angazhohet për shtimin e mjediseve sportive dhe çlodhëse për komunitetin që ajo aspiron të drejtojë.
Premtimin kandidatja e re Erisa Xhixho e bëri pas përfundimit të një aktiviteti ndërkombëtar të Hipizmit.
Xhixho ishte e ftuar nga Federata e Hipizmit, dhe ajo ndoqi me kureshtje garën me kuaj duke i dhuruar në fund të saj edhe kupën fituesit të garës.
Kandidatja e LSI-së për minibashkinë nr. 5 në kryeqytet deklaroi se pas 8 majit se ajo si drejtuese e minibashkisë bashkë me kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha do të krijojnë më shumë hapësira sportive dhe aktivitete të tilla çlodhëse.
Xhixho shpalosi sakaq programin e saj për njësinë bashkiake nr. 5, duke theksuar se “sporti është një fushë e rëndësishme e aktivitetit shoqëror që nuk ka vetëm vlera të mirëfillta sportive e argëtuese, por që ka një ndikim të madh edhe në planin edukativ, shëndetësor, e ekonomik të vetë shoqërisë sonë”.
Ajo tha se zhvillimi i sportit për këtë arsye është në vëmendjen e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Sipas saj nën këtë koalicion do të forcohen jo vetëm institucionet e veçanta sportive, por do të përkrahet edhe zhvillimi i sportit.
“Ne kemi mundësitë dhe energjitë për të realizuar një zhvillim intensiv të sportit, duke nxitur zhvillimin e tij edhe nëpërmjet rritjes së kompetencave të pushtetit lokal, ku pas 8 majit me një kryetar të ri bashkie sikurse është z. Basha do ketë një përkujdesje të shumëfishuar për terrenet sportive, aktivitetet sportive, nxitjen dhe përkrahjen e të rinjve dhe talenteve që merren me sport”, nënvizoi kandidatja Xhixho.
Ajo përqafon shprehjen se “sa më shumë të investojmë në sport, aq më pak na duhet të investojmë në shëndetësi, sepse shoqëria jonë bëhet më e shëndetshme”.
mit/NOA