English

Zjarri te “Zogu i Parë”, 6 të lënduar dhe 3 makina të djegura

Tiranë, 24 Prill 2011 NOA/ Ervin Tirana – Update – Gjashtë persona mbetën të lënduar dhe tre automjete u dogjën e po ashtu dëme të konsiderueshme materiale u regjistruan në parkimin nëntokësor të pallatit te bulevardi “Zogu i Parë”, pas një zjarri që shpërtheu mbrëmjen e së dielës.

Gazetari i agjencisë NOA raportoi nga vendngjarja, duke evidentuar se zjarri ka shpërthyer rreth orës 21.50 të së dielës, në parkim-garazhin e pallatit që ndodhet ngjitur me fakultetin e Shkencave, përballë maternitetit te bulevardi “Zogu i Parë” në kryeqytet.

Në vendngjarje shkuan forca të shumta policore dhe tre makina zjarrfikëse me disa punonjës të repartit të Mbrojtjes kundër Zjarrit.

Në parkim i cili gjendet në katin nëntokësor të pallatit 12 katësh, zjarri besohet të ketë ardhur si rrjedhojë e një shkëndije elektrike.

Për pasojë janë lënduar gjashtë persona, mes tyre fëmijë. Mes të lënduarve në këtë incident është dhe Florenc Hoxha, shef i Komisariatit nr 3 të Tiranës. Ky i fundit ka marrë plagë pranë njërit sy gjatë përpjekjeve për evakuimin e banorëve të pallatit.

Edhe aktualisht, shumë forca policore dhe zjarrfikëse gjenden në vendngjarje. Zjarri është arritur të lokalizohej në parkim ku tre makina janë djegur plotësisht e po ashtu është zhuritur në flakë i tërë garazhi.

e.t/NOA

KOMENTE