Afganistan, 26 prill, NOA – Arratisja e rreth 500 talebanëve nga një burg në Afganistan ka shokuar jo vetëm ushtrinë e këtij vendi, por edhe aleatët që operojnë ende në këtë vend.
Ata u larguan përmes një tuneli. Shumica e të arratisurve ishin talebanë radikalë islamikë, ndër të cilët edhe shumë udhëheqës të tyre, deklaroi drejtori i këtij burgu.
Ai tha se tuneli ishte i gjatë rreth 400 metra dhe është hapur prej brendësisë së burgut deri pas mureve të jashtme. Zëdhënësi i talebanëve, Yousef Ahmadi, tha se afro 100 të burgosur të ikur janë komandantë talebanë dhe shumica e të tjerëve luftëtarë talebanë. Sipas tij janë dashur 5 muaj për të gërmuar 320 metra tunel. Burgu i Kandaharit ka një kapacitet prej 1200 të burgosurish.
Mediat e huaja e cilësojnë këtë si “arratisja e madhe” duke qenë se qeveria e Afganistanit dhe NATO kanë investuar në ngritjen e burgjeve dhe në arrestimin e elementeve radikal.
a.k/NOA