Tiranë, 26 prill 2011, NOA- Kandidati për qytetar të parë i kryeqytetit i maxhorancës Lulzim Basha, gjatë ditës së sotme u ndal në një takim me banorët e njësisë bashkiake nr.3 dhe me përfaqësues të bizneseve.
Gjatë bisedës me banorët ai i garantoi banorët se do u zgjidhe problemet e ujësjellësit, kompensimit të tokës, dhe për krijimin e një linje transporti Tiranë-Vorë.
“Me planin e ri urbanistik çdo pronar do të ketë të drejtë ta zhvillojnë pronën e vet në mënyrë proporcionale dhe asnjë centimetër katrorë pronë nuk do të preket pa dëmshpërblim me vlerën e tregut”, tha Basha.
Më tej ai tha se, qytetarëve do u hiqet taksa si e gjelbërimit, taksa e tabelës, ndërsa taksën e pastrimit do e ulë disa herë.
Furnizim 24 orë me ujë, rrjet të përmirësuar të kanalizimeve, dhe sistem modern të trajtimit të ujërave të ndotura, u premtoi Basha banorëve të zonës.
Ndërsa në një takim me banorë të Komunës së Parisit, ai tha se një nga vendimet kryesore si kryetar bashkie, do të jete marrja në administrim e Ujësjellës- Kanalizimeve të Tiranës.
“Në qoftë se sot jemi të vendosur ta kthejmë punësimin dhe çmimet në problemin kryesor të Bashkisë sepse janë problem kryesore të qytetarëve është e vetëkuptueshme që problem kryesor i Ujësjellës-Kanalizimeve do të jetë përgjegjësi kryesore, kardinale e përditshme e bashkisë Tiranës. Kjo përgjegjësi do të nisë me transferimin e kompetencave tek Bashkia e ujësjellës kanalizimet dhe pastaj me ndërhyrje emergjente si dhe me ndërhyrjen e madhe të planifikuar në të gjithë Tiranën në mënyrë që ti japim fund sa më shpejt kohës kur qytetarët e Tiranës flasin akoma për ujin dhe kanalizimet si problemet e tyre të përditshme”, deklaroi kandidati i maxhorancës.
Sipas tij një tjetër prioritet gjatë punës së tij si kryebashkiak do të jetë normalizimi i çmimeve në Tiranë.
Në një takim me përfaqësues të biznesit në kryeqytet ai tha se, “Bashkia do t’ju ndihmojë, unë do t’ju ndihmoj, do të thjeshtojë taksat do ti ul ato që mbeten, do t’i kthej shumë më shumë para të cilat sot nuk dihen se ku përfundojnë. Jo vetëm kaq do t’u ofroj shërbime që ju mos të harxhoni para ekstra për aktivitetet tuaja. Dhe kërkoj që kjo të reflektohet në normalizimin e çmimeve në qytetin tonë sepse kjo i shërben interesit të qytetarëve. Thertorja do të jetë një realitet i licensuar brenda dy muajve të parë, do jepet me koncesion në mënyrë të organizuar industrisë së mishit. Jam i vendosur që të përparoj projektin e ndërtimit të një qendre panairesh dhe konventash në bashkëpunim me sektorët privat. E vërteta është që ka tre vite që e kërkon këtë interes, por është një interes që ka rënë në vesh të shurdhër. Ne do investojmë në bashkëpunim me bizneset për të përmirësuar infrastrukturën në tregje”.
a.y/NOA