English

Berisha: Fitores së 8 majit i prin Tirana

Divjakë, 26 prill 2011, NOA- (Update) Nga qyteti i Divjakës, Kryeministri Berisha shigjetoi sërish kryetarin e Partisë Socialiste, njëherësh kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama.

“Po vij nga Përmeti, Tepelena e Memaliaj. Kudo që shkova ndjeva, përjetova, pashë, fitoren e 8 majit, fitoren tuaj. Fitores së 8 majit i prin Tirana. Më 8 maj Tirana blu, Divjaka blu, Tepelena blu, Përmeti blu, Shqipëria blu! Me 8 maj shqiptarët do të jenë më të bashkuar se kurrë në historinë e tyre”, u shpreh Berisha.

Më tej ai tha se, në shtëpinë e “Aleancës për qytetarin” ka vend për të gjithë shqiptarët, madje shtoi se është e mirëpritur e gjithë ndihma dhe kontributi i tyre.

Sipas tij rruga e “Aleancës për qytetarin”, është rruga e duhur për të ndërtuar jetën e familjeve, fëmijëve dhe gjithë komuniteteve në vend.

Duke iu drejtuar rrugës së vetme të Partisë Socialiste ai tha se, rruga tjetër është rruga e vetmisë së madhe, e cila u nis për në bashkinë e Divjakës dhe e katandisi atë në komunën e Divjakës.

Më tej ai tha se, “Zoti Irakli më tha se shoku Edi Rama erdhi këtu duke besuar se po vinte në komunën e Divjakës. Më thanë se të njëjtën gjë kishte bërë edhe në Memaliaj. Unë nuk mund t’i them gjë tjetër, përveç se: aty të çon rruga e vetmisë. Rruga e vetmisë të çon pas, të çon në shtëpinë e së shkuarës, banor i së cilës ti je nga të paktit që kanë mbetur. Por ti rri, ne do të ecim drejt të ardhmes sonë, drejt Europës. Ne do të ndërtojmë në Lushnje, në Divjakë, në Shqipëri, Europën më të bukur që ekziston”.

Kjo ishte e katërta vizitë dhe i katërti takim me banorët në qytete të ndryshme të vendit pas atyre të Tepelenës, Memaliajt dhe Përmetit.

Më qytetin e Divjakës lideri i maxhorancës prezantoi kandidatin për kryebashkiak të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, zotin Arqile Goreja.

Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:

I nderuar zoti ministër, zotërinj deputetë e qeveritarë vendorë,

I dashur zoti Irakli Goreja, kryetar i bashkisë së Divjakës dhe kryetar i ardhshëm i saj,

Së pari ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh mirënjohjen time të thellë për mbështetjen tuaj të çmuar që i keni dhënë e i jepni kësaj mazhorance dhe Partisë Demokratike ndër vite. Sikundër, kam kënaqësinë të paraqes përsëri për qytetar tuajin të parë njeriun e suksesit, njeriun e ndryshimit rrënjësor të Divjakës, njeriun me të cilin ju së bashku me të dhe me qeverinë po shndërroni Divjakën në një epiqendër të prodhimit e të turizmit shqiptar dhe rajonal. Jam këtu për tu zotuar përpara jush se fitoren e Irakli Goresë më 8 maj do ta shndërrojmë gjatë 4 viteve që vijnë në një fitore, në një sukses për secilin prej jush, për çdo familje të Divjakës, për Divjakën në tërësi.

Zonja e zotërinj,

Gjatë këtyre viteve me infrastrukturën rrugore, ujësjellës, kanalizime, shkolla, ferma, qeveria ka investuar në bashkinë tuaj rreth 60 milionë dollarë. Janë ndërtuar e rindërtuar në tërësi, pothuajse, të gjitha rrugët e kësaj bashkie. Jam këtu për tu zotuar para jush se katër vitet që vijnë Divjaka dhe Lushnja do të ketë të asfaltuar çdo kilometër rrugë, do të kenë të ndërtuar e rindërtuar çdo shkollë, kopsht, qendër shëndetësore, ujësjellës e kanalizim. Ju garantoj se nga 500 hektarë ferma e dru frutorë që kemi subvencionuar në Divjakë, katër vitet që vijnë do të subvencionojmë 2000 hektarë.

Të dashur qytetare e qytetarë të Divjakës,

Vitet tona në rrugën e lirisë kanë qenë vite mundi, djerse, pune, përkushtimi, dinjiteti dhe suksesi. Sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Shqipëria, nga vendi më i izoluar i Europës, sot anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur në histori. Sot ne jemi në këtë shesh më të lirë, më dinjitozë se kurrë në historinë tonë. Ne lëvizim të lirë, pa viza, në mbarë Europën. Sot ne mblidhemi në këtë shesh pasi Shqipërinë, vendin që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, e kemi shndërruar në të bukurën e dheut, destinacionin kryesor turistik të globit. Sot ne mblidhemi në këtë shesh pasi me përpjekje të përbashkëta, me mundin, djersën, punën tuaj dhe reformat e kësaj qeverie, ne kemi bërë që ekonomia e falimentuar shqiptare të ngrihet fuqishëm dhe të kryesojë rritjen ekonomike në Europë gjatë tre viteve të fundit. Me mund e me djersë, këto vite, ne së bashku ia dolëm që në këtë vend, i cili në vitin 2005 kishte gjithsej 2400 kilometra rrugë të asfaltuar, të asfaltojmë në një hark të shkurtër kohor 8000 kilometra rrugë dhe të ndërtojmë kryeveprat e punëve publike në rajon, siç ishte korridori i kombit i cili ka shumëfishuar eksportet e Divjakës drejt Kosovës dhe drejt Europës. Këto vite, ne së bashku ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1200 shkolla, shtrimë internetin në çdo shkollë dhe nga vendi me përdorimin më të ulët të internetit në Evropë, 4.8 për qind, sot ne e përdorim atë në masën 50 për qind. Ecim me shpejtësi në moshën dixhitale, në moshën e fëmijëve tanë. Në këto vite mundi dhe djersa juaj, reformat e qeverisë që ju mbështetët, bënë të mundur të dyfishohen të gjitha pensionet në fshat dhe të vazhdojë rritja e tyre, të mbi dyfishohen rrogat e ulëta, të mbi dyfishohen rrogat e mesme, të përgjysmohen taksat, të dyfishohen të ardhurat, të dyfishohen bizneset.

Pra në rrugën tonë ne ia kemi dalë të shndërrojmë në realitet ëndrrat shekullore të paraardhësve tanë dhe ëndrrat tona, të shndërrojmë në realitet suksese që as mund t’i imagjinonim më parë. Juve, qytetarëve të Divjakës, ju ftoj të votoni për Irakli Gorenë, të votoni për alternativën për qytetarin, të votoni si qytetarë evropian, në mënyrë që secili prej jush të vendosë një tullë të re në shtëpinë e demokracisë që ne ndërtojmë dhe lartësojmë çdo ditë.

Të dashur qytetare e qytetarë të Divjakës,

Viti i kaluar shënoji për ju dhe fermerët shqiptarë një arritje historike, dyfishimin e eksporteve bujqësore shqiptare në botë. Ndaj thirrja ime për ju është që të aplikoni sa më shumë për projekte dhe qeveria do të financojë çdo metër katrorë serë që ju do të mbillni, do të financojë çdo rrënjë ulliri, vreshta apo dru të tjerë frutorë. Le ta shndërrojmë ne Divjakën, Lushnjën, Shqipërinë në kopshtin më të zhvilluar, më të bukur të Europës Juglindore. Le ta bëjmë të njohur vendin tonë në mbarë Europën për prodhimet e tij të shijshme, të ecim çdo ditë e më tej në rrugën e mëkëmbjes, në rrugën e prosperitetit dhe të integrimit. Kjo është alternativa jonë, e cila ju ka juve, qytetarëve, në epiqendër. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Divjaka është e para, Lushnja është e para, Shqipëria është e para.

Po vij nga Përmeti, Tepelena e Memaliaj. Kudo që shkova ndjeva, përjetova, pashë, fitoren e 8 majit, fitoren tuaj. Fitores së 8 majit i prin Tirana. Më 8 maj Tirana blu, Divjaka blu, Tepelena blu, Përmeti blu, Shqipëria blu! Me 8 maj shqiptarët do të jenë më të bashkuar se kurrë në historinë e tyre. Në shtëpinë e “Aleancës për qytetarin” ka vend për të gjithë shqiptarët. Mirëpresim të gjithë ndihmën e kontributin e tyre. Dyert janë te hapura, urdhëroni e mirësevini! Me ne jeni të sigurt në rrugën që keni zgjedhur për të ndërtuar jetën tuaj, të familjeve tuaja, të komuniteteve tuaja. Rruga tjetër është rruga e vetmisë së madhe, e cila u nis për në bashkinë e Divjakës dhe e katandisi atë në komunën e Divjakës. Zoti Irakli më tha se shoku Edi Rama erdhi këtu duke besuar se po vinte në komunën e Divjakës. Më thanë se të njëjtën gjë kishte bërë edhe në Memaliaj. Unë nuk mund t’i them gjë tjetër, përveç se: aty të çon rruga e vetmisë. Rruga e vetmisë të çon pas, të çon në shtëpinë e së shkuarës, banor i së cilës ti je nga të paktit që kanë mbetur. Por ti rri, ne do të ecim drejt të ardhmes sonë, drejt Europës. Ne do të ndërtojmë në Lushnje, në Divjakë, në Shqipëri, Europën më të bukur që ekziston.

a.y/NOA

KOMENTE