English

Berisha në Divjakë: Rama i ktheu bashkitë në komuna, rruga e tij ecën mbrapsht

Divjakë, 26 prill 2011, NOA- Lideri i maxhorancës, Sali Berisha pasditen e sotme stacionin e radhës për prezantimin e kandidatëve e ndali në Divjakë, ku prezantoi kandidatin për bashkinë e këtij qyteti Irakli Goreja.

Në fjalën e tij Berisha tha se Goreja kandidon për kryebashkiak për të vazhduar rrugën e ndryshimit të qytetit dhe për ta kthyer atë në qendër të turizmit.

Sipas tij, në katër vitet që vijnë në Divjakë do të subvencionohen 2 mijë hektarë tokë, në ndihmë të fermerëve.

“Sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetar të një vendi anëtar të NATO-s, sot ne jemi më të lirë dhe më dinjitozë në të gjithë historinë tonë, pasi lëvizim pa viza në të gjithë Europën. Sot ne mblidhemi pasi në përpjekje të përbashkëta me mundin, djersën dhe punën tuaj, ne bëmë që ekonomia e falimentuar të kryesojë rritjen ekonomike në Europë”, deklaroi ai.

Më tej ai tha se, korridori i kombit ka shumëfishuar eksportet e Divjakës drejt Kosovës dhe Europës.

Ndër të tjera Kryeministri Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve janë dyfishuar pensionet në fshat dhe të dyfishohen pagat e ulëta dhe të mesme.

“Ju ftoj qytetarë të Divjakës të votoni për Irakli Gorenë, si qytetarë Europianë, në mënyrë që secili prej jush të vendosë një gur të re në shtëpinë e demokracisë që ne ndërtojmë dhe lartësojmë çdo ditë”, theksoi kreu i qeverisë.

Sipas tij Divjaka, Lushnja dhe e gjithë Shqipëria do të bëhet kopshti më i bukur në Europë.

Ai tha se alternativa qeverisëse vë në qendër qytetarin, dhe familjen e tij, ndërsa tha se kudo në çdo qytet u ndje fitorja e 8 majit.

“Fitores së 8 majit i prin Tirana, pasi Divjaka është blu, Tirana është blu, Shqipëria është blu. Rruga tjetër është rruga e vetmisë së madhe e cila u nis për në bashkinë e Divjakës dhe e katandisi në komunën e Divjakës. Zoti Edi Rama erdhi këtu duke menduar se po vinte në komunën e Divjakës, nuk mund të them gjë tjetër, veçse aty të çon rruga e vetmisë, të çon mbrapa. Por ti rri atje ne do të ecim përpara drejt Europës, për tu zhvilluar dhe ndërtuar”, theksoi Kryeministri Berisha në mbyllje të fjalës së tij.

a.y/NOA

KOMENTE