English

Berisha: Rama, njeriu që kërkon 3 pushtete nuk di as që Memaliaj është bashki

Memaliaj, 26 prill 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha pas takimit dhe prezantimit të kandidatit për bashkinë e Tepelenës, është ndalur edhe në Memaliaj.

Hatixhe Qendraj, është kandidatja e prezantuar nga kreu i maxhorancës për bashkinë e këtij qyteti për koalicionin “Aleanca për qytetarin”.

Ai u premtoi qytetarëve të kësaj zone se investimet në këtë qytet do të shumëfishohen dhe kjo do të vihet re në çdo rrugë e rrugicë.

Ndër të tjera ai theksoi se me autostradën që po ndërtohet krijohen kushte të shkëlqyera për hapjen e bizneseve të mesme dhe të mëdha në këtë bashki, si dhe për punësimin e qytetarëve të Memaliaj.

Kryeministri Berisha i falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë ndaj Partisë Demokratike në vite dhe i garantoi ata se, në Memaliaj do të realizohen standardet e një qyteti të zhvilluar.

Ndër të tjera lideri i maxhorancës tha se tashmë, ka përfunduar projekti dhe është tenderuar ujësjellësi për të pasur ujë 24 orë.

Ai tha se rruga e koalicionit qeverisës është rruga që e çoi Shqipërinë që për tre vite rresht të qëndrojë në krye të rritjes ekonomike për Europën.

“Krahas kësaj rrugë është rruga e vetme apo e vetmisë. Një gjë dua tu garantoj në mënyrë specifike. Të dashur qytetarë dhe qytetare, duke ardhur këtu u ndala me kryetarin e komunës Qendër dhe disa mbështetës të saj. Njëri prej tyre ishte me bindje të majta. Më tha: unë jam i majtë, por erdha të shtrëngoj dorën se ai kryetari im nuk e dinte fare që Memaliaj është bashki. Unë ju them vëllazërisht se nuk keni humbur gjë, se ai mendjen e ka vetëm tek vetja e tij. Njeriu që kërkon të bëhet njëkohësisht kryetar bashkie, kryetar partie dhe kryetar qeverie, ai është i vetmi në Evropë, por e vërteta është se në 8 maj ai do ti humbasë të treja. Memaliaj blu, Tepelena blu, Tirana blu, Shqipëria blu”, deklaroi Berisha.

Më tej ai i ftoi qytetarët e Memaliaj që më 8 maj të votojnë Hatixhe Qendraj për kryebashkiake, duke garantuar se gjatë qeverisjes së saj, do ketë mbështetje totale për projektet e saj.

Ai e cilësoi rrugën e “Aleancës për qytetarin”, si rrugën e vizionit, dinjitetit dhe respektit, rrugë që ka vend për të gjithë pavarësisht ndasive politike.

a.y/NOA

KOMENTE