English

Bogdani: Gjimnazistëve kryeqytetas u duhet një kryebashkiak që mendon e punon për ta

Tiranë, 26 prill 2011, NOA- Deputeti demokrat Gerti Bogdani është ndalur gjatë ditës së sotme në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në kryeqytet për të folur për kushtet në të cilat mësojnë nxënësit.

Sipas tij mësimi me dy turne dhe numri prej afro 62 nxënësish në klasë shënon një rekord të papranueshëm.

“Ky është realiteti i shkollave të Tiranës që i kundërpërgjigjet më së miri premtimit të përsëritur të Ramës për ndërtimin e shkollave të reja: Dje tha se do të ndërtojë 17 shkolla të reja, në 2007 tha se do të ndërtojë 10 të tilla, dhe në 2003 tha se brenda 3 vjetësh do të arrinte një ngritje cilësore të infrastrukturës së arsimit parauniversitar në standarde europiane. Rama ka mbi 10 vjet që premton dhe mbi 10 vjet që nuk realizon asgjë nga ato që thotë”, deklaroi Bogdani.

Ndërkaq ai përmendi edhe një studim të Institutit të Shëndetit Publik të realizuar në shkolla të ndryshme të qytetit, ku rezulton se mbipopullimi i klasave jo vetëm krijon

vështirësi të mëdha për përthithjen e mësimit, por shkakton edhe probleme të rënda shëndetësore tek nxënësit.

Sipas Bogdanit, rezultatet e këtij studimi kanë qenë tronditëse, pasi 88% të klasave rezultojnë te mbipopulluara dhe niveli i zhurmave është mbi vlerat standarde të OBSH.

Bogdani u shpreh se, “Në 64% të klasave koeficienti i ndriçimit është nën vlerat standarde të OBSH, çka sjell pasoja negative ne shikimin e nxënësve. Në 67% të klasave vlera e lagështisë relative është mbi vlerat standarde të OBSH-së. 82% të klasave rezultojnë me ndotje të rëndë të ajrit në ambientet e brendshme, kontaminim i lartë mikrobik i ajrit dhe në 66% të klasave kontaminim i lartë mykologjik i ajrit. Si pasojë e kësaj ndotjeje, rreth 26% e nxënësve kanë kaluar infeksione respiratore të rrugëve të sipërme dhe të poshtme, dhe rreth 11 % e nxënësve kanë pasur vështirësi në frymëmarrje dhe 20 për qind e tyre janë prekur nga alergji të ndryshme”.

Në mbyllje të këtij denoncimi deputeti demokrat deklaroi sërish se qyteti ka nevojë për një kryebashkiak që të mbajë premtimet dhe të kujdeset për problemet kryesore të qytetit, jo për një kryebashkiak që interesohet vetëm për betejën politike kombëtare.

Bogdani tha se gjimnazistëve kryeqytetas u duhet një kryebashkiak që mendon e punon për ta.

a.y/NOA

KOMENTE