English

Burgaj-Mcllwham: Policia, garanci stabiliteti në zgjedhjet e 8 majit

Tiranë, 26 prill 2011, NOA- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj gjatë pasdites së sotme priti në një takim Ambasadoren Britanike në Shqipëri Fiona Mcllwham, për të biseduar lidhur me rolin e policisë në ruajtjen e rendit deh sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor.

Në fjalën e saj ambasadorja Britanike u shpreh se, “Jemi në dijeni të sfidave me të cilat jeni ballafaquar dhe si partnerë duam të jemi pranë jush e t’ju mbështesim”.

Më tej ajo theksoi se lidhur me incidentet e shënuara policia ka luajtur rolin e saj pozitiv për zgjidhjen e situatës.

Mcllwham ka theksuar se, gjëja më e rëndësishme është krijimi i një mjedisi të qetë që qytetarët të votojnë të qetë dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë partitë politike, që të krijojnë një klimë të qetë.

Nga ana e tij Burgaj tha se, që në fillim të muajit prill ka përfunduar njohja e të gjithë strukturave të policisë me aktet ligjore që normojnë punën e Policisë së Shtetit në këtë proces zgjedhor.

Më tej ai theksoi se një punë e mirë është bërë edhe për trajnimin e gjithë efektivave të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore, nga drejtuesit e lartë deri tek punonjësit e nivelit zbatues.

“Fakti që deri në këto momente nuk ka pasur asnjë denoncim, qoftë dhe për një punonjës policie për shkelje të rregullave për sa i përket procesit zgjedhor, është treguesi më domethënës për rolin mjaft të rëndësishëm të masave të marra, në ruajtjen e pozicionit ligjor të punonjësve të policisë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Sipas Burgaj një rëndësi të veçantë ka fakti që gjatë fushatës elektorale, deri në këto momente në të gjitha incidentet policia ka qenë e paanshme dhe se ka ndërhyrë mes dy palëve në konflikt dhe ka dhënë zgjidhjen ligjore.

“Për ne, në këtë proces, gjëja më e rëndësishme është e drejta e votës së qytetarëve dhe nuk do të ketë asnjë problem për sa i përket veprimeve të Policisë së Shtetit. Nga ana jonë janë krijuar të gjitha mundësitë, janë përcaktuar punonjësit e policisë, janë marrë masa për krijimin e dokumentit të posaçëm të identifikimit për të gjithë ato punonjës policie që do të angazhohen me detyra zgjedhore, po ashtu dhe shenjat dalluese për mjetet që do të angazhohen në këtë proces”, deklaroi Burgaj.

Deri në këto momente nga strukturat e Policisë së Shtetit është garantuar mbarëvajtja e mbi 800 aktiviteteve elektorale të ndryshme, të cilat përgjithësisht, janë zhvilluar normalisht dhe pa probleme. Gjatë gjithë kësaj periudhe janë evidentuar vetëm disa raste incidentesh të vogla të lidhura direkt apo indirekt me procesin zgjedhor, për të cilat reagimi i strukturave të policisë ka qenë i menjëhershëm, në marrjen e masave përkatëse.

a.y/NOA

KOMENTE