English

Dako: TEC-i i qeverisë Xhaferraj, shkatërrimi mjedisor i Durrësit

Durrës, 26 prill 2011, NOA- Kryebashkiaku i Durrësit, i rikandiduar sërish nga Partia Socialiste gjatë ditës së sotme u ka kërkuar sërish votat banorëve.

Dako ka prezantuar disa nga investimet e bëra në këtë qytet, duke thënë se, shembulli më i mirë për këtë është edhe blloqet e banimit në rrugën “N. Libohova” për sistemin e të cilave bashkia ka investuar rreth 51. 208. 000 lekë, të cilat kanë shërbyer për sistemin e sipërfaqeve të asfaltuara në masën 6912 m2, për sistemin e trotuareve në masën 5092 m2, në vendosjen e 55 shtyllave ndriçimi, në mbjelljen e 85 pemëve dekorative, si dhe në vendosjen e 28 stolave.

Kryebashkiaku ka nënvizuar në fjalën e tij se Durrësi do të vijoj të jetë qytet i taksave të ulëta por i transformimeve të mëdha.

Ndërkohë një tjetër takim Dako e zhvilloi edhe me banorët e Durrësit të Ri, ish- zona e Kënetës.

Sipas Dakos, bashkia ka qenë dhe vijon të jetë e përkushtuar maksimalisht që “Durrësi i Ri” të jetë pjesë e integruar në mënyrë harmonike me të gjithë mozaikun e qytetit. Kryebashkiaku ka nënvizuar se në zonën e “Durrësit të Ri” bashkia ka kryer investime në masën prej 253.715.035 lekë nga buxheti i saj.

Ndërsa në takimet e zhvilluara në lagjen nr. 5 të qytetit, Dako theksoi se, vota e 8 majit do ti thotë kurrë më, bllokimit të këshillit bashkiak nga ana e PD-së.

Sipas tij, qyteti i Durrësit gjithnjë e më shumë po u nënshtrohet ndryshimeve falë investimeve që janë kryer nga ana e Bashkisë, megjithëse qeveria është përpjekur në vazhdimësi që të pengojë dhe të bllokojë punën e saj.

Kryebashkiaku Dako, gjatë takimeve me banorët e lagjes nr. 5 ka nënvizuar se në zgjedhjet e 8 majit qytetarët do të përballen me dy modele qeverisje mes tij dhe Xhaferrit. Sipas Dakos, puna e Bashkisë gjatë këtyre katër viteve është një punë e prekshme, pasi investimet e kryera jo vetëm kanë transformuar qytetin bregdetar, thuajse në të gjithë hapësirën e shtrirjes së tij, por ka përmirësuar edhe jetën sociale të banorëve.

“Xhaferraj, së bashku me këshilltarët e PD-së në këshillin bashkiak, në mjaft raste, ka luajtur një rol bllokues për qytetin, duke penalizuar investime të cilat do të përmirësonin akoma më shumë imazhin e qytetit. Xhaferraj dhe qeveria që e ka kandiduar janë autor të projektit për shkatërrimin mjedisor të Durrësit me projektin e TEC-it që kanë miratuar në Porto- Romano”, deklaroi Dako.

a.y/NOA

KOMENTE