English

Lehona hedh beben në një bunker në Pogradec, e kap policia në flagrancë

Pogradec, 26 Prill 2011 NOA/ Alba Filipi – Fëmija që sapo kishte sjellë në jetë, nuk duhet të jetonte, ose të paktën me të, jo. Ndaj një grua lehonë, e ka marrë foshnjën e saj të porsalindur dhe e ka flakur në një bunker.

Por fati nuk ishte me të sepse policia e ka pikasur dhe e ka kapur, duke bërë që 32 vjeçarja t’i nënshtrohet procedimit penal.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme. V.Xhukellari 32 vjeçe, banuese ne lagjen nr 1 Pogradec, me gjendje familjare beqare, ka dalë nga banesa e saj dhe i është drejtuar një bunkeri në lagjen nr 1 të qytetit buzë liqenit.

Atje, ka braktisur foshnjën e saj te porsalindur. Bebja, ishte njëjavëshe dhe e seksit mashkull.

Por ndërsa kthehej nga bunkeri, Xhukellari është kapur ne flagrance nga punonjësit e policisë se patrullës se përgjithshme te Komisariatit te Pogradecit pikërisht në momentin e largimit pas braktisjes se foshnjës.

Policia tha zyrtarisht se vepra penale e konsumuar prej Xhukellarit, është ajo e “Braktisjes se fëmijës se mitur” parashikuar nga neni 124 i Kodit Penal kurse materialet i kaluan Prokurorisë Pogradec për hetime te mëtejshme. Policia tha se ndjekja penale e Xhukellarit do të kryhet në gjendje të lirë, ndërsa nuk konfirmohet nëse fëmija i ka kaluar shtetit nën përkujdesje.

a.f/NOA

KOMENTE