Reagimi, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut
Prishtinë, 26 Prill 2011 NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë vlerëson se institucionet e Kosovës nuk janë duke e marrë seriozisht zbatimin e kushtetutshmërinë dhe funksionimin unik të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
KMDLNj në vazhdimësi ka reaguar për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Sot ajo vlerësoi se hapi më i fundit i strukturave kriminale paralele të veriut në uzurpimin e ndërtesave të gjykatave në Zubin Potok dhe Leposaviq si dhe lëshimi i targave të Serbisë për këto qytete janë vazhdimësi e veprimeve kriminale të këtyre strukturave. Gjithashtu edhe mashtrimi i EULEX për kthimin e gjyqtarëve shqiptarë në Gjykatën e Qarkut ndikon në fragmentarizmin e gjyqësorit në Kosovë.
KMLDNj edhe në reagimin e fundit ka kërkuar që të sqarohet se deri ku shtrihen kompetencat e misionit EULEX dhe cila është përgjegjësia e këtij misioni në Kosovë? EULEX vazhdon të ndërmarrë veprime selektive në zbatimin e mandatit të saj. Këto veprime më shumë ngjajnë në veprime politike të koordinuara dhe të planifikuara se sa veprime sipas mandati të proklamuar për drejtësi dhe siguri.
Nga gjendja e krijuar KMDLNj konstaton se në Kosovë nuk ka institucion që jep përgjegjësi karshi qytetarit për funksionimin e drejtësisë. Legjitimitetit i institucioneve të proklamuara si përgjegjëse për këtë fushë është duke u kontestuar. Me mosveprim institucionet si Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe EULEX janë duke u bërë argat të legjitimimit të ndarjes së Kosovës.
KMDLNj mendon se mosveprimet e EULEX janë në koordinimin me Brukselin zyrtar. Kjo për faktin që ngjarjet e fundit në veri ndodhin paralel me bisedimet Kosovës –Serbi gjë që duket se EULEX ka marrë sinjale që duke mos reaguar në këto që ndodhin në veri të bëjnë presion mbi delegacionin e Kosovës. Po ashtu duket se EULEX do që ndarjes faktike të Kosovës t’i jap edhe legjitimitet juridik. Përndryshe, nuk mund të arsyetohet mosveprimi i EULEX.
Sipas KMDLNj, EULEX vazhdon me mos respektimin e qytetarit të Kosovës. Kjo mund të shihet edhe me faktin e emërimit të Marian Petre në krye të Njësitit Special të Policisë së EULEX-it. Për KMDLNj një emërim i tillë do të ishte normal sikur kolegët e këtij polici nga Rumania do të ishin ndjekur penalisht për vrasjen e Mon Balajn e Arben Xheladinin.
Gjithashtu, kjo duket të jetë si një shpërblim për policët Rumun që vranë në demonstratat e 10 Shkurtit. Një emërim i tillë është fyerje për qytetarin e Kosovës dhe institucionet e saj.
KDMDLNj kërkon që EULEX të shqyrtojë emërimin e këtij polici dhe po ashtu të rifillojë hetimin për vrasësit e Mon Balajn e Arben Xheladinin.
KMDLNj në vazhdimësi ka kërkuar që trajnimet dhe etika profesionale e Policisë së Kosovës të rishqyrtohet. Rasti i fundit i dhunës së Policisë së Kosovës ndaj plisave është një dëshmi shtesë për këtë. Reagimi dhe dhuna e përdorur ndaj plisave në Prishtinë ka qenë krejt e panevojshme dhe e paarsyeshme. Prandaj, reagimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës për fillimin e hetimeve dhe suspendimin e aktorëve të dhunës është i drejtë. KMDLNj insiston që këto hetime të shkojnë deri në fund në mënyrë që përgjegjësia eventuale të mos mbetet vetëm në suspendim.
KMDLNj kërkon që Institucionet e Kosovës të marrinë më shumë përgjegjësi për funksionimin e ligjit dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ngjarjet e fundit në veri dhe mosveprimi i EULEX janë sinjale të qarta për vendin se po bëhen përpjekje për përligjje të ndarjes. KMDLNj kërkon nga institucionet e Kosovës që të zbatohet reciprociteti i plotë në raport me Serbinë, duke filluar nga lëvizja e qytetarëve e deri te targat e automjeteve.
a.b/NOA