Prishtinë, 26 Prill 2011 NOA - Lëvizja VETËVENDOSJE! nëpërmjet një letre dërguar Zëvendëskryetares së Komisionit Evropian dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine Ashton, ka kundërshtuar emërimin e kolonelit të xhandarmërisë rumune Marian Petre, Shef të Departamentit të Policisë Speciale të EULEX-it.
Baroneshës Ashton i është kërkuar që të anulohet emërimi i kolonelit Marian Petre, për arsye se qeveria rumune që është përgjegjëse për vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt si dhe 80 demonstruesve paqësorë më 10 shkurt 2007, është po ajo që e ka deleguar kolonelin Petre. Kjo qeveri ende nuk ka treguar gatishmëri që të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për intervenimin e dhunshëm gjatë demonstratës paqësore "Për vetëvendosje dhe kundër planit të Ahtisaarit" të 10 shkurtit 2007 të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Baroneshës Ashton me këtë letër i është shprehur edhe një herë qëndrimi kundërshtues i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj EULEX-it si mision antidemokratik dhe me qëndrim neutral karshi pavarësisë së Kosovës.
Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë dërguar Baroneshës Ashton.
Baronesha Catherine Ashton
Zëvendëskryetare e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri
Komisioni Evropian
B-1049 Bruksel
Belgjikë
26 prill 2011
E nderuara Baroneshë Ashton
Ju drejtohemi me këtë letër për ta kundërshtuar emërimin e paralajmeruar të kolonelit Marian Petre, një përfaqësuesi të xhandarmërisë rumune, si Shef të Departamentit të Policisë Speciale në EULEX. Koloneli Petre është deleguar nga qeveria rumune, të cilën ne e mbajmë përgjegjëse, si edhe UNMIK-un, për vrasjen e dy qytetarëve të Kosovës, Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, dhe për plagosjen e mbi 80 demonstruesve të tjerë paqësorë, më 10 shkurt 2007. Që nga vdekja e tyre qeveria rumune nuk ka shprehur asnjëherë keqardhje për vrasjet e kryera nga njësia e policisë së saj speciale në Kosovë. Përveç raporteve për një hetim të brendshëm ushtarak, populli i Kosovës nuk ka njohuri se qeveria rumune i ka vënë këta policë para drejtësisë për krimet e tyre kundër civilëve të pafajshëm, që kishin demonstruar për të drejtën e vetëvendosjes dhe kundër Planit të Ahtisaarit. Ç’është e vërteta, asnjë zyrtar i OKB-së ose rumun nuk është vënë para përgjegjësisë për këto krime nga ndonjë gjykatë. Prandaj, emërimi i një përfaqësuesi të forcave të policisë rumune për të drejtuar policinë speciale të EULEX-it paraqet një fyerje të rëndë për popullin e Kosovës, dhe mbi të gjitha, për familjet e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt.
Siç jeni në dijeni, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kundërshtuar vazhdimisht praninë e EULEX-it në Kosovë, sepse ai është i papërgjegjshëm para popullit të Kosovës, duke i shkelur kështu të drejtat e tij demokratike dhe sovranitetin e Kuvendit të saj, dhe e definon misionin e vet si "neutral ndaj statusit” karshi pavarësisë së Kosovës. Derisa kreu i misionit të EULEX-it është përgjegjës për veprime disiplinore ndaj personelit të EULEX-it, në këtë rast është vendi i tyre, Rumania, ajo që mban të drejtën për ndërmarrjen e çfarëdo veprimi ndaj personelit që ka deleguar. BE-ja është duke kërkuar nga ne që të kemi besim tek një zyrtar që i jep llogari vetëm Qeverisë rumune. Ne kemi përvojë të hidhur me këtë lloj llogaridhënieje. Për më tepër, BE-ja ka emëruar si shef të policisë speciale të EULEX-it një përfaqësues të një prej pesë shteteve anëtare të BE-së që as nuk e njohin pavarësinë tonë.
Prandaj kërkojmë që të revokohet emërimi i kolonelit Marian Petre. Gjithashtu, ne kërkojmë që në vend të pranimit të policëve të Rumanisë në misionin EULEX, BE duhet të kërkojë nga Rumania që të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara në një hetim të pavarur dhe transparent të krimeve të kryera më 10 shkurt 2007, dhe në gjykimin e policëve specialë që janë autorë të këtyre krimeve.
Albin Kurti
Në emër të Grupit Parlamentar dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Lëvizja VETËVENDOSJE!