English

Lunacek, kandidate për përfaqësuese e BE në Kosovë

Prishtinë, 26 prill, NOA - Ulrike Lunacek, politikane e Partisë së Gjelbër të Austrisë, e cila aktualisht është raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën mund të jetë përfaqësuese e BE në Kosovë.

Gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë shkruan sot se kandidatura e Lunacekut është pritur mirë edhe nga kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton. Supozohet se deri në zgjedhjen përfundimtare të përfaqësuesit special të BE-së për Kosovën këtë funksion përkohësisht do ta ushtrojë diplomati italian Fernando Gentilini, i cili ka shërbyer në Kosovë në vitet 2004/05. Afati për kandidim për postin e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë skadon më 29 prill.

Burime të BE-së parashikojnë se Gentilini do të qëndrojë rreth tre muaj në Kosovë, pastaj këtë post do ta merrte Lunacek. Përfaqësuesi special do të jetë funksionari kyç i BE-së që do të përcjellë procesin e integrimit të Republikës së Kosovës. Deri më tani BE-ja ka qenë e përfaqësuar në Kosovë nga Pieter Feith dhe nga diplomati italian Renzo Davidi, i cili ka qenë shef i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë. Davidi para pak kohësh është larguar dhe ka marrë detyrë të re në Bosnjë-Hercegovinë.

NOA

KOMENTE