Pogradec, 26 Prill 2011 NOA Update – “Ajo që ndodhi ishte një veprim i çastit. Tani e kam menduar dhe fëmijën do ta mbaj”. Kështu pohoi V.Xhukellari, 32 vjeçarja nga qyteti i Pogradecit e cila u ndalua nga policia pasi braktisi foshnjën e saj të porsalindur në një bunker.
Policia e ka pikasur dhe e ka kapur, duke bërë që 32 vjeçarja t’i nënshtrohet procedimit penal.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme. V.Xhukellari, banuese ne lagjen nr 1 Pogradec, me gjendje familjare beqare, ka dalë nga banesa e saj dhe i është drejtuar një bunkeri në lagjen nr 1 të qytetit buzë liqenit.
Atje, ka braktisur foshnjën e saj te porsalindur. Bebja, ishte njëjavëshe dhe e seksit mashkull.
Por ndërsa kthehej nga bunkeri, Xhukellari është kapur nga punonjësit e policisë se patrullës së përgjithshme të Komisariatit te Pogradecit pikërisht në momentin e largimit pas braktisjes se foshnjës.
Shoqërimi i 32 vjeçares u bë pasi një grua, kalimtare e rastit, gjeti beben e cila po qante dhe njoftoi patrullën policore.
Policia tha zyrtarisht se vepra penale e konsumuar prej Xhukellarit, është ajo e “Braktisjes se fëmijës se mitur” parashikuar nga neni 124 i Kodit Penal kurse materialet i kaluan Prokurorisë Pogradec për hetime te mëtejshme.
Ndjekja penale e Xhukellarit do të kryhet në gjendje të lirë, ndërsa premtoi se do ta rimarrë foshnjën dhe do ta rrisë vetë atë.
a.f/NOA