Nga Artan Fuga
Fushata elektorale në fakt deri tani është zhvilluar korrekte.
Kështu duket së paku në media, por edhe nëpër rrugët e Atdheut.
Nuk ka mbingarkesë me postera, nuk ka të afishuara tabela me gjuhë urrejtje, madje edhe sloganet elektorale nuk është se premtojnë diellin edhe hënën, por janë në kufijtë e arsyes së shëndoshë. Incidente me dhunë duket se janë sporadikë dhe nën kontroll. Edhe nëpër studiot televizive nuk është se veç politikës nuk kanë dalë edhe probleme qytetare që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe me pushtetin lokal.
Megjithatë, subjektivisht më duket sikur fushata, pasi ka arritur në një pikë kulmore, nga të gjitha palët, ka nisur tatëpjetën, sikur i ka shteruar jo pak energjitë e saj, nuk po thotë më diçka të re, ka njohur përsëritshmëri dhe ndihet si një frazë e lënë për gjysmë.
Ndërkohë, ka edhe plot dy javë të mira deri në ditën e zgjedhjeve. Nuk janë pak. Nga pikëpamja e strategjive të marketingut elektoral problemi është serioz. Në mos ta krahasojmë me një frazë që pasi ka arritur në pjesëzën e fundit shprehëse përmbyllet me një pikë, përsëri duket si një çast pikëpresjeje, pra me një përmbyllje kuptimore, por që përsëri lë shpresë për vazhdim.
Më duket se regjitë e të gjitha palëve nuk e kanë matur si duhet ritmin e marketingut politik që kanë parashikuar të zhvillojnë. Si ata kuzhinierët e mirë i kishin mbledhur të gjithë ingredientët e pjatës që do të duhej të servirnin me lezet, me shije dhe të bukur estetikisht, mbi një tavolinë të pastër dhe të shtruar me delikatesë. Të gjitha i kishin pasur prej kohësh gati. Sobën e ndezur, tenxheret e lara si ar, perimet e qëruara me mjeshtëri, drutë e mbledhura në pyll për të mbajtur zjarrin ndezur... gjithçka pra. Duhej që supa të ishte gati për çastin kur mysafirët do të vinin ta shijojnë.
Por, më duket se produkti është pjekur para kohe. Nxitimi për të kapur kohën e kaloi, më duket, kontrollin e një ritmi fushate të gjetur saktë.
Dikush do të pyeste, mbase: Më mirë që supa është bërë më parë, do të ishte më keq po të dilte nga zjarri pasi miqtë të kishin mbërritur!
Në pamje të parë kështu duket, por gjithsesi ka një rrezik, supa e gatuar mirë, duke pritur, duke pas qenë bërë gati më shpejt sesa duhet, mund të ftohet. Mysafirët mund të detyrohen ta hanë të ftohtë dhe në këtë rast nuk është e njëjta supë.
Fushata elektorale filloi shumë e shpejtë. Ndofta këtu ndikonte edhe fakti se “zjarri” politik i stufës kishte qenë i ndezur fort nga klima politike e muajve të fundit. Me atë vrull që prej janarit të këtij viti, fushatat politike shprehnin një dinamikë të fuqishme energjie.
Madje një pjesë kandidatësh hynë në fushatë edhe para sesa të binte gongu i nisjes për sprintierët. Nga padurimi u nisën më shpejt se të tjerët.
Tani e kemi produktin pothuajse gati. I njohim kandidatët anë e mbanë territorit. Në bashkitë më të mëdha të vendit kandidatët i kanë shpalosur bollshëm platformat e tyre politike. Edhe liderët politikë të vendit kanë folur boll qartë për pozicionet e tyre. Mbi të gjitha, kanë dalë jo pak probleme të zhvillimit të sotëm lokal dhe të pushtetit komunal. Analistët në media kanë arritur të zhbirilojnë jo pak detaje më pak të dukshme të politikës për elektoratin masiv dhe që e do politikën shumë shkoqur se nuk ka ngé të merret gjatë me të.
Po atëherë, do të pyeste përsëri dikush, ku është problemi?
Problemi është se pas kësaj pikëpresje, pritet fjalia përmbyllëse, sepse pika nuk mund të vihet përpara 8 Majit apo në vigjilje të kësaj dite.
Gjërat janë thënë, ndërkohë ka ende kohë për të folur. Problemi është se a do të ketë informacion të ri apo do të ndodhë ajo që quhet “ripërtypje” e informacionit? Duket se “supa” e marketingut politik tani ka zier, është gati, por është shtruar në tavolinë shumë kohë përpara sesa miqtë të vijnë për ta shikuar. Ajo mund të ftohet.
Së pari, ka një elektorat që sensibilizohet për zgjedhjet vetëm javën e fundit. Ky lloj elektorati, përgjithësisht indiferent, vetëm atë javë dëshiron një spektakël politik me bateri të mbushura, sepse më përpara nuk është i disponueshëm të dëgjojë. Në atë kohë ai pret të luhet loja aktoriale më e fuqishme, ndërkohë që duket se fushata në pjesë të ndryshme të territorit të vendit duket paksa e “lodhur”.
Së dyti, një pjesë e elektoratit që dëgjoi gjithçka qysh në fillim rrezikon të ndiejë se analizat, premtimet, pozicionet elektorale, po përsëriten. Kjo rrezikon që përmbajtjes së fushatës t’i heqë atë që quhet surprizë, që në procesin e bindjes së elektoratit ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Ndodh ai që quhet proces rutinizimi i fushatës dhe kjo ul interesin e audiencës, sepse ajo rrezikon të familjarizohet kaq shumë me mesazhin saqë humbet motivin për të votuar.
Së treti, përsëritshmëria e argumenteve që po ndodh në këtë pikë kulmore, të ardhur shpejt, të fushatës, mund të bëjë që elektorati që tradicionalisht nuk vjen para kutisë së votimit, të mos vijë edhe këtë herë. Do të kishim edhe këtë herë një votim me bazë të gjerë militante. Elektorati gri pret argumente të tjera, një zbërthim të detajuar të atyre çfarë janë thënë, pret të prekë më afër vetes shqetësimet që ngrenë kandidatët apo premtimet për vazhdimësi të kandidatëve që, sikurse thuhet në gjuhën politike, presin të zëvendësojnë vetveten. Me një fjalë, kërkon të dijë se çfarë interesi personal ka praktikisht në lojë për të ardhur për të votuar. Deri në këtë nivel zbërthimi të programeve të kandidatëve, praktika tregon se një pjesë e elektoratit, në fakt, ajo që vendos fatin e zgjedhjeve, nuk ndihet e bindur dhe e motivuar për të ardhur fuqishëm dhe masivisht para kutive të votimit.
Duket se tani fushata elektorale më shumë zhvillohet nga analistët në mediat televizive sesa nga vetë kandidatët që sigurisht, edhe ata, janë aktivë në fushatat e tyre. Puna është se audienca sikurse edhe elektoratit presin këto dy javë të mbahen zgjuar me ide të reja, me analiza më të thella, me përqasje persuasive të reja, me detajime më të gjalla, sepse edhe pas dy javëve të tjera rrezikohet që mysafirët ta gjejnë supën të gatuar shumë mirë, por të ftohtë. Halli nuk është te kandidatët. Puna është që të bindet qytetari për të ardhur për të votuar për atë që konsideron të pëlqyeshme për veten e tij.
*Marrë nga “MAPO”