English

Policia: Kujdes nga mashtruesi T-Com, ja të dhënat paralajmëruese

Tiranë, 26 prill 2011, NOA- Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat ka paralajmëruar qytetarët lidhur me mashtrimet e ndërmarra nga një grup autorësh dhe përdoruesin e identifikuar si “T-Com” në drejtim të disa numrave telefonik.

Në njoftimin e policisë thuhet: “Më datë 25.04.2011, në drejtim të disa numrave telefonik është dërguar mesazh nga përdoruesi i identifikuar si "T-Com", me përmbajtjen e mëposhtme : « Od:mrechlym Your Mobile Number has won 600.000 pounds in the Nokia 2011 Awards. Claimcode : G4SC. To claim your prize send email to nokia_40years@live.com ». Sa më sipër, informojmë opinionin publik se mesazhi në fjalë është një nga format më të spikatura të mashtrimeve kompjuterike të kryera nëpërmjet Internetit”.

Sipas policisë, ky mashtrim kryhet nëpërmjet postës elektronike duke njoftuar marrësit e mesazheve se janë shpallur fitues të çmimeve të rreme në shuma të mëdha, me qëllim përfitimin prej tyre në mënyrë të paligjshme të parave apo përdorimin e të dhënave të tyre personale për qëllime kriminale.

Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e këtij mashtrimi, bën publike disa të dhëna mbi mënyrën se si realizohet ky mashtrim.

“Autorët e mashtrimit, gënjejnë qytetarët nëpërmjet mesazheve telefonike dhe postës elektronike në adresat e internetit, duke bërë të besojnë se janë fitues të çmimeve të ndryshme (deri në 600.000 paund) të organizuara nga kompani të mëdha si kompania "Nokia" etj. Për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e mashtrimit të tyre, ata dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke bërë qytetarët që të besojnë se ata janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha. Edhe këta të fundit rezultojnë të jenë viktima nga mashtrimet e mëparshme. Menjëherë sapo kryhet kontakti, mashtruesit bindin viktimat e mashtrimit të tyre se duhet të japin një shumë parash, paraprakisht në forma dhe mënyra të ndryshme, gjoja për të paguar, taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa, apo dhe shërbime, etj. Me këto mashtrime, ata kanë arritur në disa raste të përfitojnë shuma të mëdha parash nga qytetarët”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Shtetit apelon që qytetarët të tregohen të vëmendshëm ndaj njoftimeve të tilla dhe në rast të një sinjalizimi ta denoncojnë atë në numrin e telefonit 0694102688, të Sektorit Kundër Krimeve Kompjuterike.

Ndërkaq nga ana e saj kanë nisur hetimet për veprën penale të "Mashtrimit Kompjuterik".

a.y/NOA

KOMENTE