English

Policia: Nisëm hetimet për incidentet në zyrat elektorale të PS dhe LSI

Tiranë, 26 prill 2011, NOA – Policia e Tiranës ka nisur hetimet për incidentet elektorale më të fundit në zyrat e dy subjekteve politike të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Policia e kryeqytetit bëri me dije se LSI ka bërë kallëzim penal paraditen e sotme pranë Komisariatit të Policisë nr. 4 në Tiranë për konstatimin e thyerjes së xhamit të derës së Zyrës Elektorale të këtij subjekti në këtë zonë.

Po kështu pranë të njëjtit komisariat policie në Tiranë mësohet se janë paraqitur për të depozituar kallëzim penal edhe përfaqësues të Partisë Socialiste.

Ata kanë njoftuar se sot në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë, është thyer xhami i derës së zyrës elektorale të kandidatit për Njësinë Bashkiake nr. 3 Tiranë.

Uniformat blu të Tiranës theksojnë se kanë nisur hetimet dhe këqyrjen e fakteve në terren, ndërkohë që në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës po hetohet për identifikimin e autorëve të dy incidenteve dhe kapjen e tyre.

Sipas policisë ata akuzohen për dëmtimit të pronës.

mit/NOA

KOMENTE