English

Rama: Sa më shumë njerëz dëgjoj, aq më shumë ndjej dhimbjen në palcë

Tiranë, 26 prill 2011, NOA – Nga njësia bashkiake numër 2 në Tiranë ku u takua me banorë e kalimtarë të rastit në rrugë, kryebashkiaku Edi Rama deklaroi se sa më sa më shumë dëgjon njerëz, aq më shumë ndjen dhimbjen që ka shkuar deri në palcë nga pengmarrja e pushtetit.

Kryebashkiaku Rama shkoi pikërisht aty ku banorët zhvillojnë aktivitetin e tyre të përditshëm, në njësitë tregtare, lokale si edhe u takua spontanisht me njerëz në rrugët e kësaj njësie.

Ai u kërkoi votën kryeqytetasve për Këshillin Bashkiak, duke u garantuar atyre se “Kjo votë është kërkuar nga Kreu i bashkisë, njëherësh kreu i PS-së, për të vazhduar punët në kryeqytet, për të çliruar Tiranën nga pengmarrja e Saliut dhe Ilirit”.

Në takimet me banorë të kësaj njësie kryebashkiaku Rama hasi shqetësimin e përditshëm për çmimet e larta dhe rënien e fuqisë blerëse.

Kryetari i Partisë Socialiste nënvizoi se të gjitha ushqimet bazë janë shtrenjtuar me dy shifra ndërkohë që Saliu flet për mrekulli ekonomike.

“Rriten me dy shifra të gjithë burimet bazë të jetesës. Buka me dy shifra, vaji me dy shifra, sheqeri me dy shifra, nafta me dy shifra, gazi me dy shifra, shërbimi në spital me dy shifra, ilaccet me dy shifra, të gjitha cmimet e faturat të rritura me dy shifra”, tha Rama.

Kryesocialisti u shpreh se ka ardhur koha për një mirëmenaxhim të territorit, pasi menaxhimi i tij është një katastrofë që duhet ndalur me çdo kusht.

“Ndryshe, do vijë dita që ata që sot janë fëmijë, nesër s'do kenë më asnjë mundësi më që ta zhvillojnë jetesën për shkak të kësaj batërdie. Një shfrytëzim barbar i të gjitha pasurive, një babëzi, një kusari, një matrapazllëk nga të katërt anët që po shkatërron indet e shoqërisë sonë”, nënvizoi kreu i bashkisë së Tiranës.

Banorët e minibashkisë numër 2 shprehën bindjen për fitoren e Edi Ramës dhe të “Aleancës për të ardhmen” në zgjedhjet e 8 majit kundër kandidatit demokrat Lulzim Basha.

“32 mijë do ta çojmë këtë radhë plusin mbi kundërshtarin”, tha një banor, duke iu referuar rezultatit të fundit të një sondazhi në Tiranë ku Edi Rama ishte mbi Sali Berishën plot 22 mijë vota.

Në këto takime ku Rama shoqërohej nga kandidati për kryetar minibashkie i “Aleancës për të ardhmen” Artemon Cukalla, Edi Rama bisedoi edhe me tregtarë për taksat duke i bërë thirrje atyre se “Në 8 maj me votën tuaj çojini faturën e keqqeverisjes Saliut”.

mit/NOA

KOMENTE