Prishtinë, 26 prill 2011, NOA – Edhe pse gjatë ditëve të fundit janë vërejtur akte të ndryshme kriminale të strukturave paralele në veri të Kosovës, Këshilli i Sigurisë së Kosovës në mbledhjen e sotme vlerësoi se gjendja dhe ajo e sigurisë në vend është e qetë dhe e qëndrueshme. Këtë vlerësim e bëri kryeministri i Kosovës dhe kreu i këtij këshilli Hashim Thaçi.
Shefi i qeverisë së Kosovës theksoi se gjendja e sigurisë edhe përkundër sfidave ekonomike e sociale vazhdon të mbetet e qetë, stabile dhe e qëndrueshme. Po ashtu, marrëdhëniet ndëretnike kanë shënuar një ngritje në nivel vendi dhe se numri i incidenteve ndëretnike ka shënuar rënie të vazhdueshme”.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës përkrahu gatishmërinë dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës, e cila me përkushtimin e saj ka bërë që të zbulohen, trajtohen dhe eliminohen aktivitete të ndryshme kriminale si dhe uljes së përqindjes së kryerjes së veprave penale dhe atyre kundërvajtëse.
Sipas Thaçit vazhdimi i kalimit të kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët si dhe vazhdimi i zvogëlimit të trupave të KFOR-it, janë dëshmia më e fuqishme se siguria në Republikën e Kosovës është stabile dhe e qëndrueshme dhe se sektori i sigurisë po vazhdon suksesshëm konsolidimin e tij.
KSK vlerësoi si tejet të rëndësishëm procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomisë familjare, që do të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kushteve sociale dhe jetësore të qytetarëve të Kosovës.
Në këtë mbledhje, u vlerësua edhe ngritja e dy komisioneve parlamentare për ndryshimet kushtetuese.
Kryministri Thaçi theksoi se me këtë nismë Kosova ka hyrë në një proces të thellë reformues, i cili nuk kufizohet vetëm në zgjedhjen e presidentit dhe zgjedhjeve të përgjithshme, por edhe në ndryshime të tjera sipas institucioneve përkatëse.
Në këtë mbledhje u shqyrtua e u miratua Plani Vjetor i Punës së Këshillit të Sigurisë për vitin 2011, si dhe shqyrtua Platforma Vjetore e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. mit/NOA