Shëngjin-Lezhë, 26 prill 2011, NOA – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë një takimi me elektoratin në komunën e Shëngjinit në Lezhë deklaroi se 8 maji do të jetë dita kur shefi i opozitës Edvin Rama do të shkojë në rrugën e vetmisë së tij, siç ai vetë ia ka premtuar vetes me koalicionin e tij të Partisë së Punës.
Duke mbështetur kandidatin për kryetar komune të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Zef Gjoka, nënkryetarja e Partisë Demokratike premtoi se në katër vitet e ardhshëm qeveria do të trefishojë investimet në këtë zonë si dhe do të mbështesë të gjitha projektet që synojnë të transformojnë portin e Shëngjinit, në një dalje kryesore në det, për rajonin.
“Ne do të bëjmë të mundur që, ky vend, të cilin perëndia e ka bërë kaq të bukur, kaq të lakmueshëm të përparojë më tej. Ndërtimi i Rrugës në Shëngjin e ka kthyer këtë vend në një nga pikat më të frekuentuara nga turistët, pushuesit vendas e të huaj numri i të cilëve është në rritje nga viti në vit”, siguroi kryeparlamentarja Topalli.
Duke u ndalur tek prioritetet e mazhorancës Kryetarja e Kuvendit theksoi se qeveria dhe mazhoranca do t’i qëndrojnë deri në fund axhendës së integrimit, zhvillimit, axhendës së progresit.
“Sali Berisha i ka qëndruar axhendës pikë për pikë. Ashtu siç ia kishte premtuar të gjithëve dy vite më parë, ai ka bërë të mundur që, vendi ynë të jetë një vend me progres, zhvillim dhe transformim, që rrallë ndonjë vend tjetër në Evropë, apo në botë, ta ketë arritur për një kohë kaq të shkurtër”, tha zonja Topalli.
Ai rikujtoi se në këto katër vjet, në Shëngjin janë investuar mbi 12 milion euro, të cilat janë shfrytëzuar për zhvillimin e infrastrukturës, ndërtimeve, nxitjes se hotelerisë dhe turizmit.
Kryetarja e Kuvendit, duke ndalur në situatën parazgjedhore, vlerësoi se, shqiptarët janë njerëz inteligjentë por edhe racionalë, që i besojnë dhe i kërkojnë vlerat.
Ajo e cilësoi si ftesën më të sinqertë ftesën e kryeministrit se “shtëpia jonë është e hapur për çdo shqiptar”.
mit/NOA