English

Vetëvendosje: Jo kolonel rumun në EULEX

Prishtinë, 26 prill, NOA - Katër vjet pasi policë rumunë të UNMIK’ut vranë Mon Balajn e Arben Xheladinin, EULEX e ka vënë një kolonel rumun, Marian Petre, në krye të Njësitit Special të Policisë. Lëvizja Vetëvendosje dhe KMDLNJ e kundërshtojnë këtë emërim, duke e cilësuar ofendim për kosovarët. EULEX nuk e komenton vendimin.

Rumuni Marian Petre është emëruar në krye të Njësitit Special të Policisë së EULEX-it. Ky njësit ka rol të veçantë sepse përveç hartimit, merret edhe me zbatimin e planeve shumë të rëndësishme operacionale.

Koloneli Petre edhe mund të mos e dijë, por vështirë se në Kosovë do të gjejë ndonjë person që pajtohet me emërimin e tij në këtë detyrë. Në këtë rast, jo aq shumë për fajin e tij.

Në fakt, kolonelin Petre askush nuk e njeh, por ato çfarë kanë bërë kolegët e tij rumunë, si në kohën e ish-misionit të UNMIK-ut, ashtu edhe në kuadër të EULEX-it, kanë lënë shije të hidhur sa i përket imazhit të punës së xhandarmërisë së këtij shteti në Kosovë.

Derisa në kuadër të policisë së UNMIK-ut ata patën vrarë dy persona dhe plagosur më shumë se 80 të tjerë në një protestë të Lëvizjes Vetëvendosje, më 10 shkurt 2007, në kuadër të EULEX-it (prill 2010) disa prej tyre tentuan që me autobus zyrtar të kontrabandonin drejt shtetit të tyre alkool e cigare. Ata u zunë nga doganierët maqedonas, rast që shënoi hapin e parë të zbehjes së imazhit të EULEX-it në sytë e kosovarëve.

Derisa në rastin e parë ata nuk dolën asnjëherë para drejtësisë për të dhënë llogari, përkundrazi, morën mirënjohje, për rastin e dytë shteti rumun kishte filluar një hetim, rezultatet e të cilit kosovarët as pas një viti nuk i mësuan kurrë.

Zyrtarë të EULEX-it, nuk pranojnë të thonë asgjë për këtë emërim. “Emërimi i shefit të Departamentit të Njësitit Special të Policisë është në pritje të konfirmimit”, thotë një nga zëdhënësit e EULEX-it, i cili nuk pranon as t’i përmendet emri.

Por, nëse EULEX-i pret konfirmimin, edhe pse emërimi i këtij personi në krye të këtij njësiti është bërë fakt nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme të Rumanisë, reagimet e para nga Kosova tashmë janë kundër tij.

“Emërimi i këtij personi nga Rumania mund të merret si provokim”, thotë Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

Sipas tij, EULEX po dëshmon se mund të bëjë çfarë të dojë. “Sikur të mendonte për rol konstruktiv, EULEX mund të emëronte në këtë pozitë dikë tjetër, sepse ka mjaft të tjerë”, thotë Shala.

Duke mos u pajtuar me këtë veprim të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, përveç vrasjes së protestuesve në shkurt 2007, nga ana e njësitit rumun të ish-policisë së UNMIK-ut, Shala rikujton edhe prillin e vitit të kaluar.

“Mund të themi se EULEX edhe vetë është i përfshirë në kontrabandë. Ky mision nuk ka ardhur të vendosë rregull, por vetëm të zbatojë një agjendë të caktuar nga Bashkimi Evropian”, thotë Shala i cili është i bindur edhe për një gjë tjetër.

“EULEX është treguar joefikas në luftimin e krimit. Prej që ka ardhur, krimi vetëm sa është rritur dhe është shtrirë”.

Por, edhe më ashpër se Shala, emërimin e kolonelit rumun në këtë pozitë e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje. Forca e dytë më e madhe opozitare në vend kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi.

“Opinioni i Kosovës e ka shume të freskët 10 shkurtin 2007, kur njësia policore rumune në kuadër të UNMIK-ut vrau 2 dhe plagosi 80 protestues paqësorë dhe në vend që të merren në përgjegjësi, ata u dekoruan nga qeveria rumune”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas këtij subjekti politik, emërimi i kolonelit rumun në krye të njësitit special të EULEX-it është një ofendim i rëndë i popullit të Kosovës, sidomos i familjeve të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të vrarë në demonstratën e 10 shkurtit.

“Lëvizja Vetëvendosje konsideron se BE-ja duhet të kërkojë nga qeveria rumune që të bashkëpunojë me OKB-në në një hetim transparent të krimeve të 10 shkurtit 2007, të bëra nga njësitet policore të saj, në mënyrë që drejtësia për viktimat të vihet në vend, e jo delegim të oficerëve të policisë së saj në një mision që nuk është as i drejtë e as demokratik”, konsideron Lëvizja Vetëvendosje.

Pavarësisht kësaj, kolonel Marian Petre u emërua në këtë pozitë që është ndër më të lartat në organogramin e EULEX-it, e që ka të bëjë me dimensionin e planifikimit të operacioneve të policisë.

Njoftimi zyrtar për këtë emërim është dhënë nga vetë zyrtarët e Ministrisë së Administrimit dhe Punëve të Brendshme, si dhe Ministria rumune e Punëve të Jashtme.

Qeveria e Rumanisë citohet të ketë thënë se ky emërim është rezultat i hapave të përbashkët të institucioneve të Rumanisë dhe zyrave përgjegjëse për emërime të tilla të Bashkimit Evropian.

Sipas deklaratës për mediat rumune, Petre është trajnuar në kuadër të Inspektoratit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë rumune dhe ka kaluar me sukses të gjitha fazat e karrierës së tij profesionale.

Lidhur me emërimin e kolonelit rumun, Qeveria e Kosovës nuk është e informuar. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se nuk është i informuar zyrtarisht dhe se lajmin e ka dëgjuar nga mediat.

NOA/Ekspress

KOMENTE