Tiranë, 27 prill 2011, NOA- Ambasada PINK ka reaguar pasditen e sotme lidhur me zjarrvënie në shtëpinë ku jetonin 5 trans-gjinorë.
Nëpërmjet një deklarate për mediat ambasada PINK, një organizatë që punon për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT në Shqipëri, kërkon të shpreh shqetësimin e saj për ngjarjen e ndodhur në mëngjesin e sotëm, ku jeta e 5 transgjinorëve është vendosur seriozisht në rrezik për shkak se shtëpisë ku ata qëndronin i është vënë zjarri nga persona ende të panjohur.
Mësohet se të 5 trans-gjinorët ishin strehuar në një shtëpi të braktisur në Rrugën e Durrësit, ngjitur me ndërtesën e ish-ambasadës Jugosllave në Tiranë dhe rreth orës 04.30 të mëngjesit, ata janë ngritur të alarmuar nga tymi dhe flakët, të cilat kishin bllokuar thuajse të gjitha hyrje-daljet e shtëpisë. Po në këtë shtëpi jetonte edhe një familje e komunitetit Rom me 7 anëtarë, nga ku 5 prej të cilëve, të mitur.
“Pjesëtarët e komunitetit transgjinor, besojnë se akti vandal është kryer nga një grup homofobësh, të cilët duhet ta kenë identifikuar më parë vendndodhjen e tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës PINK.
Më tej vijohet duke thënë se pavarësisht vënies nën kontroll nga ana e zjarrfikësve, Policia e Tiranës deri në momentin e përgatitjes së kësaj deklarate, nuk ka bërë ndonjë komunikatë për shtyp në lidhje me këtë ngjarje, gjë që ngre dyshime serioze për trajtimin dhe barazinë midis shtetasve në vend.
Në deklaratë theksohet se, jeta dhe dinjiteti i transgjinorëve është i njëjtë me jetën dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.
Reagimi përfundon me një apel, ku thuhet: “Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, ne i bëjmë thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta, që të reagojnë përballë këtij akti dhe t’i mundësojnë komunitetit transgjinor
plotësimin sa më të shpejtë të të drejtave të tyre minimale për siguri, strehim dhe ushqim. Këto të drejta presin një përgjigje urgjente ndaj ne kërkojmë marrjen e veprimeve të menjëhershme nga ana e institucioneve publike shqiptare. Episode të tilla, dëmtojnë jetën e komunitetit në veçanti dhe shoqërinë në përgjithësi, pasi të drejtat e njeriut janë të drejta të barabarta për këdo”.
a.y/NOA