Tiranë, 27 prill 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës për kryebashkiak i kryeqytetit Lulzim Basha gjatë ditës së sotme ka prezantuar planin urbanistik të Tiranës, ku në thelb të tij është vendosur prona private.
Në një takim me arkitektë dhe urbanistë, me pedagogë dhe studentë të arkitekturës dhe planifikimit urban, Basha ka vënë në qendër të investimeve të mëdha infrastrukturore fitimin e hapësirave publike.
“Propozimi im është hartimi i planit urbanistik të Tiranës dhe paraqitja e tij, jo më vonë se shkurti i vitit 2012. Ky plan, do të harmonizojë këto interesa të zhvillimit, të individit më të thjeshtë, të vogëlushit, të prindit, deri tek interesat e zhvillimit të korporatave të mëdha, të punëdhënësve të mëdhenj të Tiranës”, tha Basha.
Gjatë fjalës së tij ai ka propozuar bashkëvendimmarrje totale me të gjithë qytetarët e Tiranës për miratimin e këtij plani.
Sipas tij, me këtë plan, do të bëhet realitet Tirana europiane që nis nga pragu i derës së çdo qytetari, dhe jo Tirana që nis nga emra të ndryshëm europianë që mund ti vendosen qendrës.
Kandidati për kryebashkiak, Lulzim Basha u shpreh se, “do të kemi një plan ku çdo lagje e Tiranës, çdo zonë e Tiranës, ka mundësinë të ketë qendrën e vet qytetare, do të ketë pra, jo vetëm qendër banimi, por do të ketë shkolla, kopshte dhe çerdhe. Do të ketë hapësira të mjaftueshme për rrugë të standardeve evropiane, për sa i përket dimensionit të këtyre rrugëve, sa i përket nëntokës së këtyre rrugëve, pra ujësjellës kanalizimeve, sa i përket trotuareve dhe ndriçimit. Do të ketë hapësira publike të mjaftueshme të gjelbra, hapësira publike për të ndërtuar qendra sociale për moshën e tretë, për të ndërtuar qendra multifunksionale për rininë”.
Sipas tij, “që të bëhet kjo, duhet patjetër të niset menjëherë puna për infrastrukturën e munguar, Unazën e Madhe, si një domosdoshmëri për konektivitetin, për ndërlidhjen brenda qytetit të Tiranës, për të reduktuar trafikun, për të reduktuar koston e tij, karburantin, kohën e humbur, oportunitetet e humbura nga personat, mallrat dhe shërbimet.
Ndërkohë kandidati i “Aleancës për qytetarin” tha se, paralelisht, në Unazën e Madhe do të nisë puna për të gjithë sistemin kapilar të rrugëve, rrugët kryesore, rrugët sekondare, vendparkimet, rrjetin këmbësor, apo biçikletave, por edhe rrjetin e transportit publik të Tiranës dhe pjesë e rrjetit të transportit publik të Tiranës që sot është një gangrenë e vërtetë, do të jetë domosdoshmërisht tramvaji.
“Tramvaji në aksin Kinostudio-Kombinat do të jetë prioritet absolut i axhendës time që në vitin e parë, dhe pas kësaj, edhe të linjës Bregu i Lumit- Selitë”, deklaroi Basha.
Duke u ndalur te çështja e pronësisë ai tha se, “dy do të jenë parimet e trajtimit të pronës private, shpronësim me vlerë e tregut për ndërtimet e mëdha infrastrukturore siç është Unaza e Madhe dhe e dyta formula e transformimit të së drejtës së zhvillimit në hapësira të reja që do të krijohen ose brenda kuartaleve, ose në arteriet e reja të zhvillimit që ne propozojmë, siç janë ato përgjatë lumit të Tiranës, apo në aksin e ri nga stacioni aktual i trenit tek Bregu i Lumit”.
Kandidati i maxhorancës tha se, nuk ka forcë që të pengojë zhvillimin e Tiranës.
Ndërkaq po gjatë ditës së sotme një tjetër takim Basha e zhvilloi me përfaqësues të biznesit, ku shprehu angazhimin e tij për ngritjen e një parku për biznesin fason, ku përveçse do të prodhohet, edhe do të ekspozohen dhe shiten prodhimet shqiptare.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim ai u shpreh se, “Ne do të krijojmë një park në Tiranë, si kudo tjetër tashmë në Ballkan, ku prodhohet por dhe ekspozohet prodhimi, dhe shitet prodhimi. Për gratë në marrëdhënie pune, do të ketë një marrëdhënie të veçantë. Duke filluar nga vera tjetër, bashkia do të financojë shkolla dhe kopshte verore për të gjithë fëmijët, nënat e të cilëve, janë në marrëdhënie pune. Do të shqyrtojmë një paketë stimuluese për gratë në marrëdhënie pune, në mënyrë që nëpërmjet tarifave të reduktuara, shërbimeve ekstra, t’u vihet atyre sadopak në ndihmë. Ky qytet ka nevojë imediate, të menjëhershme për punësim dhe unë si kryebashkiak angazhohem ta bëj punësimin prioritetin tim numër 1. Unë uroj që kjo linjë që hapet sot, hapja e 50-60 vendeve të reja pune, të jetë fillimi i diçkaje që do të ndodhë në të gjithë qytetin. Unë do të përpiqem me mish e me shpirt të punoj për ju, për fëmijët tuaj, për burrat tuaj dhe për qytetin, dhe do të merrem vetëm me këtë punë”.
a.y/NOA