Rrëshen, 27 prill 2011, NOA- Në vijim të takimeve të tij elektorale, Rrësheni ka qenë stacioni i radhës i kreut të qeverisë Sali Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur para elektoratit të këtij vendi lideri i maxhorancës tha se, në tre vjet, Shqipëria do të ketë infrastrukturën më të mirë në Europën Juglindore dhe nga më të mirat në Europë.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për kandidatët për kryetar bashkie në Rrëshen Gjon Deda dhe Mark Ruçi, në Rubik, si dhe garantoi qytetarët e Mirditës se qeveria do të shumëfishojë investimet për këtë rreth dhe do të financojë çdo projekt për zhvillimin e tij.
Mirdita, sipas kreut të bluve, është një vend me pasuri të jashtëzakonshme, në ujëra dhe minerale dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve, si dhe do të ndërtohen dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend.
“Në territorin tuaj lëshoi shtat madhërishëm një ëndërr kombëtare, madhështore dhe e pavdekshme, korridori i kombit, vepra më e madhe që shqiptarët kanë ndërtuar në të gjitha kohërat. Së bashku ia dolëm që një ekonomi që po falimentonte, me lumenj djerse, me muskuj tanë dhe kallot e duarve tona, me pluhurin në fytyrë e rrudhat tona, ta shndërrojmë në ekonominë me rritjen më të madhe në Europë”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Sipas tij, Mirdita ka vende mahnitëse turistike dhe gjatë këtyre katër viteve të ardhshme do të ndërtohet infrastruktura rrugore dhe do të ndërtohet së bashku me qytetarët Mirdita turistike.
Më tej Kryeministri Berisha theksoi se, zoti e ka bekuar Shqipërinë dhe Mirditën pasi në çdo metër katror mund të rritet një pemë. Prandaj ai ftoi qytetarët dhe fermerët e Mirditës që t’i shndërrojnë katër vitet që vijnë, në vite të themelimit të Shqipërisë - kopshti më i madh në Europë.
Në mbyllje të fjalës së tij ai tha se, “Në shtëpinë tonë, ne ju themi bujrum, urdhëroni, jeni të respektuar, jeni të nderuar. Çdo të mirë, ne duam ta ndajmë me çdo shqiptar, çdo sakrificë duam ta bëjmë me çdo shqiptar, çdo arritje, ta gëzojmë me çdo shqiptar. 8 maji është dita juaj. 8 maji është dita, në të cilën ju vendosni për katër vitet që vijnë. Ju garantoj se për ne ju jeni të parët, familjet tuaja janë të parat, komunitetet tuaja janë të parat, Mirdita është e para, Shqipëria është e para”.
a.y/NOA