English

Braçe: Basha vetëpranoi skandalin

Tiranë, 27 prill 2011, NOA – Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Erion Braçe deklaroi se kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha e ka vetëpranuar publikisht në një rrëfim televiziv skandalin holandez kur ishte ministër i Transporteve.

Deputeti socialiste duke bërë një bilanc të provave për këtë skandal deklaroi se “është provuar që blerja e shtëpisë në Holandë është materializuar përmes aktesh juridike që bartin të dhëna të rreme dhe më konkretisht është çertifikuar nën një pasaportë të identifikuar si “amerikane” kur nuk ka qenë e tillë, ndërkohë që ministri e ka blerë shtëpinë duke u hequr si amerikan, e duke u fshehur si shqiptar”.

Braçe iu referua konfirmimit nga noteri i akteve, i pranuar edhe nga ish ministri.

“Blerja e shtëpisë në Hollandë është mundësuar përmes një kredie të madhe vlera e se cilës është më e vogël se vlera e blerjes dhe shpenzimeve të kryera për shtëpinë. Konfirmuar dhe pranuar nga ILDKP”, tha Braçe.

Ai akuzoi sërish se është e provuar dhe e pranuar botërisht që, ministri Basha ka identitet të shumëfishtë.

“Pra disa pasaporta shqiptare, 4 diplomatike-njëra e marrë dhe përdorur prej tetorit të vitit 2003, 3 të tjerat marrë dhe përdorur prej janarit të vitit 2007. Pranuar dhe justifikuar banalisht nga ish ministri me një rregullore të përkohshme të kohës së luftës në Kosovë, vetëm për ministrin e Jashtëm e jo për ministrin e Brendshëm”, tha deputeti Braçe, duke theksuar se kanë mbetur dhe dy pika të nxehta të skandalit që presin përgjigje nga ish-ministri Lulzim Basha dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive.

Deputeti socialist i kërkoi rishtas kandidatit Basha të tregojë se nga vijnë paratë e tij në vitin 2007 kur shtëpia e tij është shitur në prill të vitit 2008 dhe paratë janë arkëtuar vetëm në atë kohë.

Gjithashtu deputeti Braçe i bëri thirrje të tregojë e të dorëzojë pasaportën me numër 0160138, të plotë e fletë më fletë.

“Qytetarët janë të parët dhe e para për ta është e drejta për t’u informuar”, theksoi deputeti socialist duke përdorur sloganin elektoral të kandidatit Basha dhe “Aleancës për Qytetarin” që ai përfaqëson në këto zgjedhje vendore.

mit/NOA

KOMENTE