English

Çfarë kasete të shohim për zgjedhje?

Zgjedhjet lokale të 8 majit do të hyjnë në histori si zgjedhjet ku mungon debati. Mirë që kryetarët e komunave janë aq të fuqishëm sa u imponohen edhe kryetarëve të partive (duke kandiduar për herë të katërt e të pestë) dhe ngushëllimi është se ndoshta shohim ndonjë debat për komunat që rrethojnë (krye)qytetin

Nga Lutfi Dervishi

Përveç numrit të madh të incidenteve, fushata e zgjedhjeve lokale mund të shënojë edhe një rekord tjetër: – mungesën e debateve mes kandidatëve. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për betejën për Tiranën. Edhe në qytetet e tjera të rëndësishme, si Durrësi, Elbasani, Korça etj., ka pak gjasa që të zhvillohet ballafaqimi mes kandidatëve. Në mungesë të debateve të mëdha, tek-tuk nëpër ekrane po shohim debate të vogla mes kandidatëve për komuna ose debate të kandidatëve të qyteteve të vogla. Shumë pak për të informuar votuesit rreth platformave programeve dhe vizionit që kanë kandidatët në garë. Mungesa e debateve është një hap i madh mbrapa kur mendon se 10 vjet më parë debati mes kandidatëve ishte gjëja më normale në fushatë zgjedhore. Një prej arsyeve të mungesës së ballafaqimit është edhe strategjitë e kundërta të partive kryesore politike. Partia Socialiste i ka mëshuar idesë se këto zgjedhje janë jo vetëm test politik, por garë e vërtetë politike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, që është dhe kryetari i partisë më të madhe të opozitës, ndryshe nga tre mandatet e tjera ku kandidonte si administrator apo si lider i moderuar, tashmë kandidon si lider politik i opozitës në kushte të polarizimit politik dhe ka marrë përsipër garën në nivel kombëtar. Përveç strategjisë së kundërt që kanë palët në betejë, që e bën të pamundur ballafaqimin lokal të kandidatëve, media tashmë po paguan një haraç të vjetër, flirtin me politikën. E afruar tej mase me politikën, media ka humbur distancën për të gjykuar dhe raportuar me profesionalizëm fushatat elektorale. Vendimi për të mos transmetuar kasetat e partive dhe kandidatëve është një vendim për t’u përshëndetur, por tepër i vonuar. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare reporterët politikë dhe redaktorët e televizioneve pothuaj dolën pa punë. Vetë partitë kishin studiot e tyre dhe raportonin për aktivitetet e tyre. Por edhe para zgjedhjeve, pranimi i kasetave të përgatitura nga partitë ka qenë një sekret që nuk e ka ditur vetëm teleshikuesi. Në vend që të shërbejë si kontrollues apo filtër mes pushteteve të tjera, media luajti thjesht rolin e pasqyrës. Tekat e politikës i kthyen televizionet në videoteka. Duke e ditur edhe më mirë se vetë gazetarët fuqinë e ekranit, politikanët dhe partitë janë kujdesur e përkujdesur në vite për ta vënë median në kontroll ku munden dhe për të shantazhuar apo bojkotuar aty ku nuk munden. Polarizimi politik ka çuar edhe në polarizimin e medias. Dy prej televizioneve të rëndësishme kombëtare janë bojkotuar respektivisht nga liderët e dy forcave kryesore politike. Hapësirën në mes mund ta përmbushte Televizioni publik, që mund të kthehej në një ekran të të gjithëve dhe një faktor pozitiv presioni ndaj medias private. Për fat të keq, Televizioni publik nuk e kapi momentin e artë për të bërë diferencën. Është e habitshme se si kthehet në një debat kryesor një gjë që në kushte normale është thjesht e paimagjinueshme. – Debati për kasetat: Pranimi i kasetave do të thotë se për zgjedhjet nuk raporton më media, por partitë politike. Zgjedhjet duhen raportuar nga gazetarët me profesionalizëm dhe paanshmëri. Votuesit duhet të marrin informacionet për zgjedhjet nga media. Partitë me kaseta ofrojnë vetëm propagandë! Por, në anën tjetër, vetë media nuk ka fuqinë dhe kapacitetet për të mbuluar çdo aktivitet të kandidatëve. Realiteti imponon një kompromis. Asnjë media në vend nuk është aq e fuqishme sa të ketë luksin, për shembull, të refuzojë materialet bruto të partive të vogla që duan që të dëgjohet edhe zëri i tyre në fushatën elektorale. Materialet mund të pranohen duke ua bërë e qartë shikuesve se kemi të bëjmë me filmime të ofruara nga partitë politike. Kjo do të ishte më mirë se sa refuzimi i “kasetës”. Kodi Zgjedhor kërkon prej televizioneve një mbulim profesional të fushatës dhe Bordi i Monitorimit të Medias duhet të merrte më shumë përgjegjësi për të imponuar standarde profesionale dhe të mos kemi thjesht balancim kohe për subjektet. “Peshorja” e farmacisë nuk i shërben aspak objektivitetit. Nëse do të shohim vetëm peshoren, në fund të fushatës mund të na rezultojnë të gjitha televizionet “të balancuara”. Por gazetarët e dinë më mirë se kushdo se koha e barabartë nuk do të thotë gjithçka, madje mund të jetë edhe e dëmshme. Mënyra se si përdor kamerën, planet që përdor, sinkroni që zgjedh, – janë thelbësore në përçimin e mesazhit. Raportimi i zgjedhjeve është përgjegjësi e madhe jo vetëm karshi detyrimeve në Kodin Zgjedhor, por në radhë të parë ndaj publikut. Debati të pranohen apo jo kasetat është i mangët sepse përqendrohet në dilemën se do të jenë partitë apo gazetarët që do të raportojnë për aktivitetin e kandidatit. Një qasje radikale në raportimin e zgjedhjeve do të ishte raportimi nga këndvështrimi i votuesve. Kjo, për fat të keq, mungon. Kemi një raportim nga lart-poshtë dhe jo anasjelltas. Media është për të filtruar dhe kontrolluar aktivitetet e politikanëve. Nëse media mjaftohet me rolin e pasqyrës dhe tërheqjen nga përgjegjësia për ta thënë ajo të vërtetën, atëherë votuesi, për të kuptuar se çfarë ndodh, duhet të shohë lajmet në të paktën tre stacione televizive, të lexojë tri gazeta dhe, për të qenë krejt i sigurt, të kalojë edhe nga kafeneja e lagjes. Debati për kasetat ka vlerë nëse e marrim si një leksion për të ardhmen dhe e varim si vëth në vesh jo vetëm për fushata zgjedhore. Gazetaria ende ka si gjellë kryesore në menynë e vet politikën. Gazetaria politike është e lirë sepse nuk kërkon shumë njerëz, para dhe kohë. Telenovela politike, nga pikëpamja e kostos, është minierë për botuesit dhe pronarët sepse kemi të bëjmë me krah të lirë pune dhe me një mundësi të artë për të qenë afër politikanëve me peshë. Gazetaria është shumë afër me politikën dhe me këtë afrim e përqafim nuk do të jetë e largët dita kur politikanët në studio televizive të bëjnë pyetje (me arrogancë) dhe gazetarët të japin përgjigje. Tradita e kasetave është e konsoliduar dhe çrrënjosja është e vështirë. Jemi në pikën ku në vend që të ushtrojë presion media mbi politikën, ndodh e kundërta. Politika shantazhon median në përgjithësi dhe studiot televizive në veçanti, duke kërcënuar me mos dërgimin e përfaqësuesve për debat. Zgjedhjet lokale të 8 majit do të hyjnë në histori si zgjedhjet ku mungon debati. Mirë që kryetarët e komunave janë aq të fuqishëm sa u imponohen edhe kryetarëve të partive (duke kandiduar për herë të katërt e të pestë) dhe ngushëllimi është se ndoshta shohim ndonjë debat për komunat që rrethojnë (krye)qytetin. / Panorama/

KOMENTE
  • ALBVIZITORI20:20 - 27 Prill 2011
    Sic dihet, detyra e Bordit teMonitorimit të mediave është të monitorojë mediat audiovizuale për të siguruar një pasqyrim mediatik sa më të vërtetë, të ndershëm dhe të barabartë të fushatës zgjedhore. Keto dite ne shtyp ka bere buje propozimi e ketij bordi drejtuar KQZ, në të cilën kërkon që televizionet të pranojnë kaseta të montuara nga vetë kandidatët, gje qe eshte miratuar nga ky institucion. Opozita ka kercenuar per dergimin e ketij vendimi te KQZ ne Kolegjin Zgjedhor duke sjelle edhe argumentet e veta perkatese, por deri me sot asgje nuk ka ndodhur. Me qellim sqarimin e rrethanave mbi rolin e kasetave ne fushaten zgjedhore, ju drejtuam zt. Ylli Dylgjeri nje eksponent i njohur i mediave dhe marredhenieve publike ne te gjitha qeverite e tranzicionit. I habitur per tollovine dhe debatin alla-Mero Baze rreth ceshtjes “Kaseta”, zt. Dylgjeri tha se ka nevoje per me shume kohe te sqaroje se cilit nga radhet e ish-sigurimsave te rinj dhe te vjeter i perket ky pseudonim… Kur i thame se ne TVSH nuk ka me sigurimsa ende te padeklaruar, atehere Dylgjeri na komunikoi se informacioni rreth kesaj ceshtjeje eshte i pamjaftueshem duke shtuar se… nese behet fjale per “kasetat pa spot” (perndryshe antaret e Agjit-Prop-it), ata kane dy vjet qe po na cajne pernate daullen e veshit ne te gjitha mediat e vendit… Kurse per “spotet pa kaseta” qe do te shohim tani e tutje duhet te pyesni ne ndonje zyre te larte partie ose kandidat perserites (nudo)…