English

Denoncimi: Homofobët i vënë zjarrin një grupi transgjinor

Tiranë, 27 prill 2011 NOA – Jeta e 5 transgjinorëve është vendosur seriozisht në rrezik për shkak se shtëpisë ku ata qëndronin i është vënë zjarri nga persona ende të panjohur. Denoncimi u bë sot nga Ambasada Pink, një organizatë që punon për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT në Shqipëri,

Të 5 trans-gjinorët ishin strehuar në një shtëpi të braktisur në Rrugën e Durrësit, ngjitur me ndërtesën e ish-ambasadës Jugosllave në Tiranë.

Rreth orës 04.30 të mëngjesit, ata janë ngritur të alarmuar nga tymi dhe flakët, të cilat kishin bllokuar thuajse të gjitha hyrje-daljet e shtëpisë. Po në këtë shtëpi jetonte edhe një familje e komunitetit Rom me 7 anëtarë, ku 5 prej te cilëve janë të mitur.

Ndonëse nuk ka pasur viktima, pjesëtarët e komunitetit transgjinor, besojnë se akti vandal është kryer nga një grup homofobësh, të cilët duhet ta kenë identifikuar më parë vendndodhjen e tyre.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrfikëset dhe forcat e policisë, që kanë mundësuar shuarjen e zjarrit dhe dhënien e ndihmës së parë.

Sidoqoftë, sipas Pink, Policia e Tiranës deri në momentin e përgatitjes së kësaj deklarate, nuk ka bërë ndonjë komunikatë për shtyp në lidhje me këtë ngjarje, gjë që ngre dyshime serioze për trajtimin dhe barazinë midis shtetasve në vend.

Pink kujton se krimet e urrejtjes ndëshkohen rëndë në të gjithë botën e civilizuar dhe Shqipëria nuk mund të bëj përjashtim nga kjo. Ngjarja në fjalë tregon edhe një herë se, ndonëse Shqipëria ka miratuar Ligjin kundër Diskriminimit, jeta dhe dinjiteti i komunitetit trans-gjinor vazhdon të nëpërkëmbet dhe vihet në rrezik, - thekson Pink.

Fakti që komunitetit transgjinor, as Bashkia e Tiranës dhe as Ministria e Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta, nuk i kanë ofruar asnjë mundësi strehimi, sigurie dhe punësimi, tregon se homofobia është e ngulitur në mendësinë e qeveritarëve të sotëm, - vlerëson Pink.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Pink i bën thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta, që të reagojnë përballë këtij akti dhe t’i mundësojnë komunitetit transgjinor plotësimin sa më të shpejtë të të drejtave të tyre minimale për siguri, strehim dhe ushqim.

“Këto të drejta presin një përgjigje urgjente ndaj ne kërkojmë marrjen e veprimeve të menjëhershme nga ana e institucioneve publike shqiptare. Episode të tilla, dëmtojnë jetën e komunitetit në veçanti dhe shoqërinë në përgjithësi, pasi të drejtat e njeriut janë të drejta të barabarta për këdo”, - përfundon reagimi i Pink.

e.t/NOA

KOMENTE