Nga Gëzim Llojdia*
Mbretëresha e turizmit. E lakmuar nga vizitorët, e vizituar nga turistët. Të thonë ëmbëlsisht edhe perlë. Dhe mirë bëjnë. Perlë je. Natyra të ka falur këto thesare: Vlora shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Shqipërisë, gjatë fundit jugor të Adriatikut dhe pjesës veriore të Jonit, thonë të dhënat. Është ndër rrethet me gjatësinë më të madhe të vijës bregdetare, rreth 30 % te gjatësisë së përgjithshme të vijës bregdetare në shkallë vendi.
Ndodhet 135 km larg kryeqytetit të vendit, Tiranës, vetëm 72 km e ndajnë nga Italia (Kanali i Otrantos) dhe 123 km me Greqinë (Ishulli i Korfuzit). Ka një klime tipike mesdhetare detare, me dimër të butë e relativisht të lagët, dhe verë të thatë. Në përkufizimin e treguesve të turizmit cilësor ky qytet i përmbush standardet.
Ka hotele vende pushimi, plazhe, pasuri ujore, kuzhinë të pasur, monumente kulture, objekte historike , muzeume. Qyteti është ndryshuar, transformuar. Rritur në lartësi, zgjatur në gjatësi.
Bëhet shoping, rrjeti i kafeneve është i shtrirë në krejt qytetin. Por një problem i madh e mundon qytetin. Pastërtia e tij. Togjet plehrave në stinën e verës tregojnë një fytyrë dhe pamje e një qyteti të mjerë të mbretëreshës së turizmi. Rrugët qytetit ende fshihen si 20 vjet më parë. Me fshesë gjineshtre. Lahen rrugët e tij, por mese fshihen ?
Gjineshtra është përdorur për të fshirë rrugët e këtij qyteti për 50 vjet. Mirëpo gjineshtra sërish mbanë peshën kryesore në pastrimin e qytetit. Fshesat me gjineshtër ngrenë në ajër smog duke i prishur “nurin mbretëreshës”. Gjineshtra duhej zëvendësuar qysh në mandatin e dytë të kryetarit aktual të bashkisë me mjetet për pastrimin e qytetit. Higjena e një qyteti mbretëreshë turizmi duhet të përmbajë edhe mjetet domosdoshme për pastrimin e tij. Koshat për mbledhjen mbeturinave gjenden në distancë nga pallat e banimit dhe plehrat i gjen të hedhura andej këtej nëpër qoshe rrugësh. Një vit më parë kryetari i bashkisë në sherrin me firmën “Duka” tha se kemi kërkuar: kontenierë të rinj dhe nga gjendja që kemi, planifikuam fondin për të blerë
1020 kontenierë që do t’i shtohen qytetit. Vendosja e tyre mbulon 100 për qind territorin e qytetit duke përfshirë edhe periferinë. Kjo do të rrisë shërbimin cilësor të pastrimit, duke u ndalur posaçërisht tek aksesorët që kanë rëndësi për sezonin turistik. Po kështu,- ka vijuar kryebashkiaku, -ne kemi 280 milionë lekë të vjetra të planifikuara vetëm për ndërtimin e bazamenteve të kontinierëve, veçanërisht në zonat, ku kemi një shërbim të dyfishtë.
A u blenë kontenieret dhe nëse u blenë përse asgjë nuk ka ndryshuar në higjienën e qytetit?
Pas çdo shiu rrugët mbushen me një cipë balte. Këto rrugë të këtij qyteti edhe pas masakrës së ujësjellësit fshihen sërish me fshesë gjineshtre. Edhe ky sezon turistik do ta gjejë mbretëreshën turizmit me më shumë turistë ,por ende në rrugët e tij do të mbizotëroj teknologjia e vjetruar. Fshesa e vjetër sa koha i ka ikur vakti. A nuk do të shërbenin ato miliona, që hidhen për futbollin për të blerë teknologji të re për pastrimin e qytetit. Nga sezoni turistik na ndajnë vetëm disa ditë kur turistët e parë do ti shohim në qytet. Por mbreteresha e turizmit ende do të pastrohesh me fshesë gjineshtre ? Mbretëreshë e turizmit, edhe sa vjet do të kesh këtë teknologji primitive për higjenën tënde?
NOA