Për më shumë se 30 vjet, këto dy shtete i kishin këmbëzat e tërhequra. Tani, pas rrëzimit të regjimit të Hosni Mubarakut, në muajin shkurt, Egjipti dhe Irani janë shumë afër rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Këto marrëdhënie qenë ngrirë që nga revolucioni islamik në Iran, në vitin 1979
Robert Tait
Dymijekatërqind kilometrat që ndajnë Teheranin dhe Kajron mund të kenë qenë të mjaftueshme për t’i mbajtur marrëdhëniet në largësi të armëve. Mirëpo, për tri dekadat e fundit, realitetet e ndarjes gjeografike ndërmjet Iranit dhe Egjiptit janë zgjatur nga hija e një personi, Kalid Islambuli. Oficeri ushtarak islamik që e vrau presidentin egjiptian, Anvar Sadat, në vitin 1981, si hakmarrje për nënshkrimin e marrëveshjes paqësore me Izraelin në kampin Dejvid, ka qëndruar një kohë të gjatë si simbol i ndarjes politike dhe ideologjike ndërmjet dy vendeve. I ekzekutuar së bashku me konspiratorët tjerë të krimit një vit më pas, Islambuli kishte fituar statusin e parisë në Egjipt, një mishërim i rreziqeve që fshihet prapa radikalizmit islam. Krejt ndryshe është trajtuar Islambul në Iran ku është trajtuar si hero dhe martir, një privilegj që reflekton në një murale të vendosur në qendër të Teheranit. Megjithatë, tani, shpirti i Islambulit duket se do të arrijë prehjen. Një veprim që mund të jetë goditje për interesat e Izraelit dhe SHBA-ve, Egjipti është deklaruar i gatshëm për rivendosjen e lidhjeve me Teheranin, menjëherë pas rrëzimit nga pushteti të Hosni Mubarakut, i cili e shihte regjimin islamik të Iranit si armik të hidhur. Për SHBA-të dhe në veçanti për Izraelin, zëvendësimi eventual i marrëdhënieve të akullta ndërmjet Iranit dhe Egjiptit me një aleancë të afërt mes tyre, mund të ishte një ankth. Thjesht, vetëm një ambasadë e re e Iranit në Kajro mund të nxirrte dhëmbët e Izraelit, vlerëson Meir Xhavedanfar, një komentator i lindur në Iran, i cili tani punon në Izrael për një kompani për analiza politike dhe ekonomike të Lindjes së Mesme. “Për Izraelin, cilido shtet në rajon, sidomos ato shtete, me të cilat i ka lidhjet kufitare, të ketë marrëdhënie me Iranin, nuk është diçka e mirë”. “Çfarëdo çizme iraniane shtesë në terren është mjaft për shqetësimin e Izraelit, sepse ashtu siç e sheh Qeveria e Izraelit, ata mund të ndikojnë për të inkurajuar publikun që të kthehet edhe më shumë kundër Izraelit, apo të shfrytëzojë territorin e atij vendi që të mbledhë informata kundër Izraelit. Apo, edhe në rast të ndonjë sulmi ushtarak kundër centraleve bërthamore të Iranit, ndoshta ai vend i tretë do të mund të shfrytëzohet për t’i sulmuar caqet izraelite”, thotë Xhavedanfar. Mirëpo, për analistët, frika nga një aleancë ndërmjet Iranit dhe Egjiptit është e pabazë. Mustafa al Labad, drejtor i Qendrës për Studime Rajonale dhe Strategjike në Kajro, thotë se hapja e një faqe të re me Iranin nuk do t’i ndryshojë marrëdhëniet e tjera të Egjiptit. “Jo, sistemi politik në të dy vendet është shumë i ndryshëm. Egjipti është nën ombrellën e perëndimit, ndërsa situata është ndryshe me Iranin. Ka kontradikta sa i përket interesit kombëtar ndërmjet Egjiptit dhe Iranit në Irak dhe në Gjirin Persik. Pra, kjo do të ishte një marrëdhënie normale në kohën e saj më të mirë, mirëpo jo një aleancë strategjike”, thekson Labad. Pavarësisht të gjitha kufizimeve, një marrëdhënie e re do të ishte një arritje reale për sistemin teokratik të Iranit që do të fitonte më shumë se sa regjimi i ri në Kajro, vlerëson komentatori nga Izraeli, Meir Xhavedanfar.