Që nga momenti kur GJND e cilësoi të ligjshme pavarësinë e Kosovës, vitin e kaluar, qëndrimi i Serbisë është bërë i papërshtatshëm për t’u mbrojtur, si politikisht, ashtu edhe në kuadër të ligjit ndërkombëtar. A do ta kuptojnë, më në fund, politikanët e Serbisë se është në interesin e tyre që të njohin Kosovën?
Nga Milan Marinkoviç
Një fjalë e vjetër e urtë popullore serbe thotë: “I afërmi juaj më i përafërt, është fqinji juaj”. Kjo fjalë e urtë ju këshillon të respektoni fqinjët tuaj, pasi që ata do të jenë të parët që do t’iu vijnë në ndihmë, nëse futeni në telashe. Nëse është kështu, pse atëherë Serbia nuk po e pranon fqinjin e vet jugor, Kosovën? Shënimi paraprak, nacionalistëve serbë mund t’iu tingëllojë si një shaka me sarkazëm, por vërtet nuk është e tillë. Edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, de facto ky territor ka qenë shtet i pavarur për një dekadë të tërë, më saktësisht që nga viti 1999, kur NATO-ja me sukses kompletoi fushatën e saj ajrore kundër forcave të armatosura të Serbisë. Sidoqoftë, Serbia me kokëfortësi po refuzon të pranojë situatën reale, siç nuk po e pranon as përgjegjësinë e saj për këto ngjarje. Pa marrë parasysh se a i shikojmë gjërat nga këndvështrimi etik, apo politik, Serbia e ka merituar humbjen e Kosovës. Policia serbe gjatë viteve të 90-ta nuk ka mundur të jetë më e përgatitur për të armiqësuar vendin me gjithë botën e qytetëruar, përderisa regjimi trajtoi shqiptarët e Kosovës në një mënyrë aq denigruese, sa që në fund u bë i padurueshëm. Është për keqardhje se edhe sot e asaj dite-më shumë se dhjetë vjet pas përmbysjes së Slobodan Milosheviçit-pjesa më e madhe e banorëve të Serbisë ende i perceptojnë shqiptarët në të njëjtën mënyrë, siç i kanë perceptuar gjatë kohës sa ishte Milosheviç në pushtet. Pjesa më e madhe prej tyre e sheh gjithë popullin shqiptar si një fis që nuk respekton ligjet, i cili përbëhet pothuajse në tërësi nga terroristët, kontrabandues të drogës dhe lloje të tjera të kriminelëve. Kjo nënkupton se asnjëri prej pasardhësve të Milosheviçit, përfshirë këtu edhe regjimin aktual, nuk ka marrë guximin që t’ia thotë popullit të vërtetën. Kjo, pas të gjithave, nuk befason aspak, duke pasur parasysh se në çfarë mënyrash tendencioze disa prej mediave me ndikimin më të madh-të cilat në mënyrë direkte apo indirekte kontrollohen nga qarqet e ndryshme politike-portretizojnë ngjarjet në terren. Kjo propagandë ka qenë e dizajnuar në pjesën më të madhe për të forcuar fushatën qesharake të ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç-për të ashtuquajturën “betejë diplomatike për Kosovën”. Krahas kësaj, së paku deri së fundi, çështja e Kosovës për shumë vite i ka shërbyer politikanëve vendas që të mbledhin poena të lehta dhe të lira politike. Partia Demokratike, e presidentit Boris Tadiç, fitoi zgjedhjet e fundit, duke shfrytëzuar moton kundërthënëse:”I dëshirojmë që të dyja, Kosovën dhe Evropën”. Sidoqoftë, vitin e kaluar, kur GJND-ja mori vendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime, u bë e qartë se të gjitha përpjekjet diplomatike, të cilat Serbia i kishte shfrytëzuar, ishin të kota. Vendimi i GJND-së nga shumë analistë ishte vlerësuar si një pikë e kthesës, nga e cila Serbia do të duhej të ndryshonte në mënyrë dramatike qasjen e saj ndaj çështjes së Kosovës. Krahas kësaj, anketat e opinionit publik, të bëra më pas, qartazi lanë të kuptojnë se gjithnjë e më pak njerëz besonin se Serbia do të mund të rivendoste autoritetin e saj mbi Kosovën. Edhe përkundër faktit se ky ndryshim i mendjes më tepër ishte rezultat i ndjenjës së dëshpërimit, se sa i arsyes, ishte kjo një mundësi e artë për një kthesë strategjike, të cilën për fat të keq regjimi serb nuk e kuptoi dhe nuk e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të duhur. Janë bërë disa përshtatje, shumica prej tyre sa i përket taktikës, por ato nuk janë as për së afërmi gjithëpërfshirëse. Dhe siç qëndrojnë gjërat, bisedimet aq shumë të pritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat më në fund po zhvillohen, me gjasë nuk do të sjellin asgjë gjithëpërfshirëse. Thënë thjeshtë, suksesi i përgjithshëm i negociatave varet nga ajo se sa janë palët të vullnetshme të bëjnë koncesione të ndërsjella dhe deri më tash, që të dyja duket se po operojnë nga pozicione të dobëta të brendshme, gjë që natyrisht përjashton një varg opsionesh. Ekipi negociator i Kosovës në radhë të parë është i kufizuar nga ndjenjat e opinionit publik të shumicës shqiptare, e cila ende ka të freskët kujtimin për shtypjen brutale nga ana e regjimit të Slobodan Milosheviçit. Aq më tepër, një pjesë e madhe e popullit të Kosovës kundërshton fuqishëm çfarëdo bisedimesh me Serbinë. Krahas kësaj, formimi i Qeverisë së Kosovës, përkrah zgjedhjeve të mëhershme parlamentare, është ngarkuar nga akuzat për përfshirjen e kryeministrit Hashim Thaçi në trafikimin me organe njerëzore, e gjithashtu edhe nga thashethemet për manipulim zgjedhor. Në anën tjetër, Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të partnerëve perëndimorë, në veçanti atë të SHBA-së, sa i përket statusit të pamohueshëm të sovranitetit të saj. Serbia, nga ana e saj, po përballet me një krizë serioze qeveritare, e cila u dëshmua se është shumë më jostabile, se sa që duket në shikim të parë. Kjo në veçanti po del në sipërfaqe me afrimin e zgjedhjeve të radhës, përderisa koalicioni qeveritar po vazhdon të humb besueshmërinë e vet në radhët e popullit, si pasojë e rezultateve të varfra politike, në veçanti në fushën e ekonomisë. Kësaj duhet t’i shtohet se shoqëria serbe është e përçarë në lidhje me çështjet e parëndësishme, e lëre më rreth brengave të mëdha, e që nënkupton se gabimi më i vogël taktik nga ana e regjimit shumë lehtë do të mund të dëshmohej si vendimtar në zgjedhje. Duke folur me vrazhdësi, historikisht në Serbi kanë ekzistuar dy koncepte bazë ideologjike, jozyrtarisht të njohura si “Serbia e Parë”, respektivisht “Serbia e Dytë”. E para bazon në nacionalizmin konservator, me ndjenja të fuqishme pro-ruse, anti-perëndimore, ndërsa e dyta paraqet qëndrimin e kundër dhe kjo përçarje mes “Dy Serbive”, ndan thelbin e shoqërisë. Për këtë arsye, çfarëdo koncesioni, të cilin Serbia do të mund t’ia bënte Kosovës gjatë negociatave, nga opozita me duar të hapura do të mirëpritej si një “tradhti ndaj interesave kombëtare”. Pikërisht për shkak të këtyre arsyeve, ekipi serb në një pikë të caktuar me gjasë do të bëjë përpjekje të ndryshojë negociatat nga ato teknike, në negociata për status, duke e vënë në dyshim statusin e vetë Kosovës, me qëllim që të integrojë veten me nacionalistët në Serbi. Duke pasur parasysh këtë, Prishtina, Uashingtoni dhe Brukseli ia kanë tërhequr paraprakisht vërejtjen Beogradit se çështja e statusit nuk është mbi tavolinë, se ky mision me gjasë do të dështojë, edhe përkundër faktit se një lloj i marrëveshjeve mund të arrihet rreth çështjeve me rëndësi më të vogël, vetëm sa për të krijuar përshtypjen se negociatat nuk kanë qenë tërësisht të pavlera. Në të vërtetë, Serbia po bazon politikën e saj ndaj Kosovës në shpresën e turbullt dhe të largët, se gjeopolitika rajonale mund të ndryshojë në favor të saj. Kjo shkurtpamësi e politikanëve serbë u qartësua edhe më shumë, në vendimin për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, me ndihmën e vetos së Rusisë. Përderisa kjo Rusisë nuk i kushton asgjë-dhe aq më tepër, i jep mundësi Moskës që të forcojë ndikimin e saj mbi politikën serbe-kjo i kushton mjaft shumë Serbisë. Është vështirë të paramendohet se sa para dhe energji-e të mos përmendim kerozinën-ka shpenzuar Serbia vite me radhë, në përpjekje për të bërë atë, që nuk mund të bëhet. Në të vërtetë, një grup i ekspertëve ka llogaritur së fundi se për çdo sekondë, Kosova i kushton nga 16 euro tatimpaguesve në Serbi. Tani, përpiquni të paramendoni se çfarë do të kishte ndodhur, nëse Serbia do të kishte pranuar të vërtetën më tepër se të qartë, se Kosova në mënyrë të pakthyeshme është shndërruar në fqinje. Dy vendet do të kishin mundur të vendosnin marrëdhënie diplomatike, të cilat jo vetëm që do të kishin formësuar rikëndelljen ekonomike të secilës prej tyre, por do të kishin qenë në gjendje të përballen me shumë sfida-si për shembull me luftën kundër krimit të organizuar në rajon, e mos të përmendim anëtarësimin e të dy vendeve në BE. Sidoqoftë, elitës politike serbe duket qartazi se i mungon vizioni dhe guximi për të bërë atë që duhet dhe për të shndërruar problemin në mundësi. Madje edhe më keq, duke gjykuar në bazë të situatës aktuale, një qëndrim i këtillë duket se me gjasë nuk do të ndryshojë së shpejti. Dhe kështu, po vazhdon lufta rraskapitëse e nervave. *openDemocracy.net