Kukës, 27 prill 2011, NOA – Nga Zona e Krumës në Kukës lideri demokrat Sali Berisha i bëri thirrje banorëve të Kukësit të votojnë alternativën e burrave dhe grave punëtore, alternativën e mundit dhe të djersës dhe të votojnë në 8 maj për Bardhyl Pekën, kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të kësaj bashkie.
“Ju garantoj se për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parat, Hasi është i pari, Kruma është e para, Shqipëria është e para”, deklaroi kryeministri Berisha.
Shefi i qeverisë duke mos folur këtë herë për alterntativën e kundërshtarit të tij “E vetmja rrugë” u kërkoi votën kuksianeve për alternativën e njerëzve që i besojnë njëri – tjetrit; që i besojnë Zotit dhe vendit të tyre.
“Alternativa jonë është alternativa e interesave tuaja, e halleve tuaja, e projekteve tuaja, e rrugëve tuaja, e shkollave tuaja, e kopshteve tuaja, e pronave tuaja, e prosperitetit dhe pasurimit tuaj. Ndaj le të bashkohemi në këtë alternativë. Në këtë shtëpi ka vend për çdo qytetar shqiptar, hasjane dhe hasjan”, theksoi zoti Berisha.
Ai u premtoi banorëve të Kukësit se Shqipëria do të qëndiset me pemët më të mira.
“Le të mbjellim ne miliona rrënjë arra, lajthi, gështenja, mollë. Pranverat që vijnë do ta gjejnë Hasin, do ta gjejnë Shqipërinë, të veshur me lulet e kopshtit më të bukur. Ju garantoj se qeveria do t’ju paguajë çdo fidanë, do t’ju mbështesë juve fuqishëm”, siguroi krueministri.
Ai premtoi se fondet e mëdha gjatë këtij mandati do të shkojnë për investime në infrastrukturën rrugore, ujësjellësa, e për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë.
“Janë asfaltuar 8 mijë kilometra, kemi për të asfaltuar edhe 4 – 5 mijë kilometra të tjera, shkojnë në ujësjellës, në shkolla, por është shumë e afërt dita kur fondet e mëdha do të jenë për Shqipërinë kopshti më i bukur e më madhështor në Evropë”, premtoi kryeministri.
Gjatë mitingut në Krumë shefi i qeverisë shprehu angazhimin e qeverisë që gjatë katër viteve që vijnë do të investojnë çdo projekt për të pasur në këtë bashki shërbime të standardeve evropiane.
“Sot unë kam një lutje për ju, banorë të Hasit dhe për çdo shqiptar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë vendin më të zhvilluar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë kopshtin më të bukur e më madhështor të Evropës”, u shpreh kryeministri.
mit/NOA