Tiranë, 27 prill 2011, NOA – Në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit ambasadorja britanike Fiona Mcllwham u takua rishtas me kryediplomatin Edmond Haxhinasto, të cilit i shprehu bindjen se realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme hap perspektiva të reja e të shpejta për afrimin e Shqipërisë në BE.
Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në kuadër të shkëmbimeve politike dhe bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto dhe ambasadorja britanike folën për hapat që duhet të ndërmerren për lehtësimin e regjimit të vizave për kategori të caktuara pasaportash.
Kryediplomati shqiptar i konfirmoi ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar gatishmërinë për të ofruar aeroportet shqiptare për forcat ajrore britanike në rast emergjence gjatë kryerjes së operacioneve në Libi.
mit/NOA