Tiranë, 27 prill 2011, NOA – Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda akuzoi kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama se nuk po mbulon as shërbimet bazë të qytetarëve të kryeqytetit, pasi ka rritur në mënyrë galopante shpenzimet administrative për administratën e bashkisë tejet të fryrë dhe ulur ndjeshëm investimet.
Deputetja demokrate duke u prononcuar pranë godinës së Bashkisë së Tiranës theksoi se numri i punonjësve në bashkinë e Tiranës ka mbërritur sot në 3155, një shifër që sipas Dodës është e barabartë me 3 ministri, Ministrinë e Ekonomisë, të Transportit dhe Ministrinë e Turizmit.
Doda deklaroi se shpenzimet administrative të Bashkisë së Tiranës janë rreth 40% më të larta krahasuar me bashkitë e tjera të mëdha të vendit.
Sipas Dodës kjo ka shkaktuar rënien e investimeve, nga 37% në vitin 2008 në 28% të buxhetit për vitin 2010 duke rënë edhe poshtë mesatares se të gjithë bashkive e
komunave të vendit.
Doda tha se shpenzimet për pagat janë rreth 35% e buxhetit të Bashkisë kundrejt vetëm 18% që zënë këto shpenzime në buxhetin e qeverisë.
Ajo iu referua 85 lloje taksash të bashkia, duke nënvizuar se Rama harxhon 8300 lekë për frymë për pagat dhe vetëm 2500 lekë për shërbimet ndaj qytetarit.
Ajo evidentoi edhe fenomenin e shpërdorimit të parave të taksapaguesve për punime gjysmake në prag fushate si ai i tavaneve elektorale dhe asfaltit elektoral.
Këtu ajo solli në vëmendje edhe shtrimin e barit elektoral pranë sheshit Skënderbej që kushton 40.000 dollarë.
“Ne nuk mund të lejojmë më të kemi një kryebashkiak që abuzon me paratë
tona! Ne meritojmë një kryebashkiak që të investojë për të përmirësuar
shërbimet për qytetarin; jo për një kryebashkiak që fokusohet vetëm tek
beteja politike kombëtare. Na duhet një kryebashkiak për qytetin”, apeloi deputetja Doda duke i bërë dorazi thirrje qytetarëve të Tiranës që në 8 maj të votojnë kandidatin e “Aleancës për qytetarin”.
mit/NOA