English

Policia e Shkodrës: Plan masash për sigurinë e procesit zgjedhor të 8 majit

Shkodër, 27 prill 2011, NOA – 11 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 8 majit Policia e Shkodrës ka bërë të ditur planin e masave për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë procesit zgjedhor në këtë qark. Ishte drejtori i Policisë së Qarkut të Shkodrës Arjan Bozhaj që tregoi planin e masave, i cili synon zhvillimin sa më normal dhe shmangien e incidenteve gjatë procesit të votimit dhe shoqërimit të kutive të votimit si dhe gjatë numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve.

Drejtori i policisë së qarkut të Shkodrës theksoi se shërbimet policore të angazhuara në këtë proces zgjedhor, duke filluar nga data 07.05.2011, deri në përfundim të procesit do funksionojnë pa ndërprerje 24 orë në 24, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike në të gjithë territorin e Qarkut.

Plani i masave përfshin:

1) Nga marrja në ruajtje e qendrave të votimit gjatë natës, para ditës së votimit, duke filluar nga momenti kur ne KQV mbërrijnë materialet zgjedhore, deri në momentin kur KQV-ja, nis veprimet paraprake për çeljen e votimit.

2) Dorëzimin e Qendrave të Votimit, kur Komisionet fillojnë veprimet për çeljen e votimit

3)Grumbullimi i punonjësve të policisë, në vendet e dislokimit, të përcaktura në Planin e Masave.

4) Ndërhyrjen në Qendrat e Votimit, në rastet e kërkesës së Komisioneve të këtyre qëndrave, për vendosjen e rregullit dhe të rendit publik.

5) Ndërhyrjen për menaxhimin e ngjarjeve apo incidenteve të ndryshme, që mund të ndodhin jashtë objekteve zgjedhore

6) Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave

7) Shoqërimi i materialeve te votimit nga Qendrat e Votimit për në VNV

8) Ndërhyrjen në VNV, në rastet e kërkesës së bërë nga KZAZ (Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor), për vendosjen e rregullit e rendit.

Drejtori Bozhaj nënvizoi se janë marrë masa për planifikimin e shërbimeve policore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, për ruajtjen e objekteve zgjedhore gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas përfundimit të votimit.

Por një plan masazh ka funksionuar edhe në periudhës parazgjedhore për garantimin e qetësisë publike dhe të tubimeve elektorale, ku mësohet se në shkallë qarku janë zhvilluar deri më tani 110 takime elektorale, në të cilat nuk është shënuar asnjë incident.

Në mbarëvajtjen e këtyre tubimeve janë angazhuar rreth 220 punonjës policie dhe 42 automjete.

Sipas drejtorit të policisë së qarkut të Shkodrës janë trajnuar gjithsej 416 punonjës të policisë, nga këto 261 punonjës policie janë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, ndërsa pjesa tjetër janë policë të Njësisë Rajonale të Qarkullimit Rrugor dhe Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Shkodër e Tiranë, të cilët do të angazhohen me shërbime në këtë proces zgjedhor.

Drejtori Bozhaj bëri me dije se të gjithë punonjësit e policisë janë paisur me librin i xhepit, të përgatitur me ndihmën dhe mbështejen e OSBE-së, “Kujtesë, Detyrat e punonjësit të policisë gjatë procesit zgjedhor”, ku përcaktohen qartë veprimet e punonjësve të policisë për procesin zgjedhor.

Po kështu uniformat blu të qarkut të Shkodrës kanë organizuar takime të shpeshta dhe do të mbahet kontakt i vazhdueshëm me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it për procesin zgjedhor.

Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës shpreh bindjen se do përballojë me sukses këtë proces zgjedhor, duke garantuar se do të veprojë vetëm në bazë të ligjit për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike, mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, në mënyrë që të gjithë shtetasit që kanë të drejtë vote, të shprehin të lirë vullnetin e tyre.

Gjithashtu kjo drejtori në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Shkodër, Pukë dhe Malësi e Madhe ka hartuar edhe një Plan Masash, shtesë, për evidentimin, zbulimin e çdo lloj vepre penale dhe goditjen e personave apo grupeve me tendenca kriminale.

Ndërkohë bazuar në Urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, është ngritur dhe grupi i monitorimit të medias.

Kjo drejtori u bën thirrje të gjithë qytetareve në shkallë Qarku, që në këto zgjedhje vendore, të tregojnë qytetarinë e maturinë e tyre, duke respektuar me korrektësi procesin zgjedhor, me qëllim shmangien e çdo lloj incidenti.

mit/NOA

KOMENTE