English

Rama në Mamurras: Flamuri i PD-së thesi që mbushet me paratë e grabitura

Mamurras, 27 prill 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama këtë pasdite nga qyteti i Mamurrasit prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Dedë Ndreca për të fituar mandatin e qytetarit të parë, për të dytën herë.

Që në fillim të fjalës së tij ai tha se, edhe vetë Saliu e di që Mamurrasi është me socialistët, pasi tha ai qyteti është me socialistët sepse socialistët janë me Mamurrasin.

“Në këto katër vite ne treguam se çfarë do të thotë të investosh me votën tënde për të ndryshuar këtë qytet. Më kujtohet shumë mirë kur kemi ardhur për të festuar fitoren e Dedë Ndrecës, dhe sot katër vjet më vonë nuk janë vetëm pemët, por janë edhe shkollat e reja, edhe qendrat shëndetësore, por sigurisht edhe stadiumi, por veçanërisht janë edhe rrugët. Kjo rrugë që është rruga për të ardhur deri këtu është rruga që ka ngelur në këtë gjendje vetëm për një arsye, pasi ai zotëria atje nuk ka dashur të japë lekët, pasi keni fituar ju duke fituar Dedë Ndreca, ashtu sikurse ka vërë kudo ku qeverisin socialistët, në mënyrë që njerëzit të humbasin vesimin. Mirëpo askund ku njerëzit kanë votuar për ne nuk janë zhgënjyer por vazhdojnë të zhgënjehen nga ai zotëria i kusarisë dhe i matrapazllëkut”, deklaroi Rama.

Sipas tij, Berisha shkon nëpër male e thotë që do bëj alpinizëm, shkon nëpër male e thotë që do bëjmë det.

Ai tha se “Aleanca për të ardhmen”, është e vetmja rrugë për ti nxjerrë komunitetet e këtij vendi në çdo bashki e komunë nga varfëria dhe prapambetja e tmerrshme.

Më tej ai shtoi se, nuk është sukses i një qeverie që me paratë e popullit, me fondet e mbledhura nga kontributet e qytetarëve të krenohet me rrugë rurale e komunale, ato janë vepra publike të komunave e bashkive, kurse Kryeministrit i takon të thotë sa vende pune ka hapur dhe sa e ka ulur papunësinë.

Ndërkaq Rama tha se, “8 maji është dita që çdo qytetar të mendojë në radhë të parë për dinjitetin e vetë, që do të thotë që votën duhet ta shohë si të ardhmen e tij dhe të familjes së tij dhe jo në shenjë të besnikërisë ndaj partisë. Sepse flamuri i partisë demokratike është kthyer në një thes që mbushet me paratë e grabitura nga oborri që vodhi zgjedhjet 2 vjet më parë dhe në 21 janar vrau burra që kërkonin punë vetëm që të vazhdonin të vjedhin, kjo është e vërteta e 8 majit, pasi zgjedhjet janë thellësisht politike”.

Sakaq lideri i socialistëve theksoi se do të arrihet një fitore e madhe dhe e thellë sepse do të fitohet Mamurrasi, dhe nëpërmjet tij do të fitojnë të rejat dhe të rinjtë, në rrugën e hapur të zhvillimit e përparimit.

Rama deklaroi se shumë shpejt do të vendoset politika lokale dhe ajo kombëtare sepse sipas tij do të shndërrohet rrënjësisht i gjithë vendi.

Ai e cilësoi votën për kandidatët e opozitës i një investim për familjen, lagjen, komunën, bashkinë, fshatin dhe qytetin.

Në mbyllje të fjalës së tij ai tha që qytetarët duhet të votojnë dhe të besojnë fort se vetmja rrugë është rruga që i bashkon shqiptarët dhe jo rruga që i ndan ata, pa i ndarë në blu e rozë, pa i ndarë në o me ne, o kundër nesh, pasi tha ai të gjithë duhet të votojnë të lirë dhe të bararbartë.

Sipas tij e vetmja thënie e mençur e Saliut është fjala, “Mamurrasi është me ju”.

a.y/NOA

KOMENTE