English

Rama: Saliu mbështetësit i trajton si robër, por shërbëtori dëbohet kur shërben keq

Tiranë, 27 prill 2011, NOA- Njësia bashkiake numër 4 në kryeqytet ishte finalizimi i takimeve në mbrëmjen e sotme të kryesocialistit Edi Rama.

Në fillim të fjalës së tij ai tha se, “Unë vazhdoj të pyes Saliun i cili vjen vërdallë në Shqipëri dhe flet për alternativë a ka mundësi të tregojë se cili është modeli i tyre i zhvillimit, i imagjinimit dhe konceptimit të një plani dhe programi zhvillimi, ku është modeli i tyre i planit urbanistik për të cilin flasin e flasin pa ditur fare se ç’thonë. Ata e kërkojnë votën më kot, pasi qytetarët më 8 maj do të bëjnë një investim të sigurt për të ardhmen e tyre. Pse nuk na tregojnë dot një model ose shembull të vetëm, të tregojnë një dhe të thonë ja ku e kemi ne modelin, sepse ne e kemi atë dhe është model i suksesshëm”.

Sipas tij detyra e Saliut ka të bëjë me xhepin e shqiptarëve, sa lek kanë ata, e çfarë mund të blejnë shqiptarët.

Ai shtoi se Saliu flet për historia që janë në imagjinatën e tij të cilat as ai vetë nuk i beson, madje theksoi se Berisha e bën këtë me bindjen se demokratët i ka në xhep, sepse si do të shkojë puna ata mendon se i ka në xhep.

Lideri i së majtës, deklaroi se Saliu beson se sa më shumë ta gënjesh popullin, aq më lehtë do e kalosh lumin e detyrimeve të tua.

Ndërkaq ai tha se, “Socialistët nuk diskutohen por edhe demokratët që duan vlerat e tyre, duhet ta çlirojmë këtë vend nga flama e gënjeshtrës dhe nga ana tjetër nga flama e papërgjegjshmërisë e papunësisë. Shqiptarët nuk dalin dot nga kjo mrekulli ekonomike që krahas Europës e Amerikës ka çuditur edhe Kinën e cila thotë si ka mundësi që Saliu na ka lënë pas të tërëve”.

Sakaq Rama deklaroi se shantazhet e Berishës nuk kanë të bëjnë me asnjë vlerë morale të këtij kombi, prandaj tha ai 8 maji është dita për të marrë hak me votë, për të shndërruar në fuqi magjike demokracinë, fuqia e saj është që me votë të gjykojë e ndëshkojë demokracinë.

Sipas tij qeveria është shërbëtori që votohet kur shërben mirë dhe dëbohet kur shërben keq, dhe pikërisht në këtë linjë ai tha se për këtë dhe një sërë arsyesh Shqiptarët duhet të çlirojnë Partinë Demokratike.

Më tej ai shtoi se ata që e votojnë dhe e mbështesin i trajton si robër dhe ata që nuk e mbështesin i trajton si armiq, i trajton më keq se çdo i trajtonte një pushtues.

Prandaj tha shefi i opozitës rruga e “Aleancës për të ardhmen” është rruga e shndërrimeve të mëdha, pasi qytetarët e këtij vendi janë të barabartë përballë flamurit kuq e zi i cili u trashëgua dhe la si amanet dhe për ta ringritur sërish atë ne duhet të votojmë sepse ua kemi borxh fëmijëve tanë.

a.y/NOA

KOMENTE