Tepelenë, 27 prill 2011, NOA- Qyteti i Tepelenës ka qenë zona e radhës e konfliktit me motive elektorale.
Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti bëjnë me dije për agjencinë e lajmeve NOA se, një telefonatë anonime ka denoncuar një sherr të ndodhur ne mes të qytetit, ku ishin të përfshirë kryetari i Partisë Socialiste të Tepelenës, Arben Kaçorri dhe Drejtori i shkollës së mesme “Abas Shehu” të këtij qyteti Nekim Liço.
Sipas dëshmisë së Kaçorrit thuhet se, rreth orës 14.40 , ky shtetas ishte ulur në një tavolinë në një lokal në qendër të qytetit së bashku me një person tjetër dhe pas disa minutash ka shkuar tek tavolina e tyre Nekim Liço , 53 vjeç, banues në Tepelenë , me detyrë Drejtor i shkollës së mesme.
Liço, pasi është afruar tek tavolina e Kaçorrit, i ka kërkuar sqarime këtij të fundit për filmimet që ai ka kryer dje në ambientet e jashtme të shkollës.
Mësohet se këto filmime dëshmojnë për faktin se si Liço, në postin e dretorit të shkollës i ka nxjerrë nxënësit nga mësimi për të marrë pjesë në tubimin elektoral të ditës së djeshme të Kryeministrit Sali Berisha.
Nga ana e policisë ka nisur menjëherë puna për zbardhjen e rrethanave, ndërsa mësohet se kreu i PS-së së Tepelenës, pretendon se Liço ka tentuar ta qëllojë atë me një tullë.
Sipas policisë, Nekim Liço do të hetohet për veprën penale të “Fyerjes”, pasi debati midis tyre ka degjeneruar në fyerje dhe sharje , duke u shtyrë me njëri -tjetrin , por pa e goditur apo lënduar njeri - tjetrin .
a.y/NOA