English

Tahiri: Saliu, Lulzimi e Luzhjana po vënë dorë mbi votën me votues fiktiv

Tiranë, 27 prill 2011, NOA- Deputeti socialist Saimir Tahiri gjatë ditës së sotme ka paraqitur para mediave fakte të reja për manipulimin e procesit zgjedhor në zonën e Kombinatit.

Fillimisht ai është ndalur në një lavazh për makinat në Kombinat aty ku pretendohet nga kryetarja e minibashkisë 6 se jetojnë prindërit e saj.

Sipas Tahirit pas verifikimit të bërë në atë ambient rezulton se nuk jeton askush por se regjistrimi është bërë për shkak të shtimit fiktiv të votuesve.

Një tjetër ndalesë ai e bëri në një shtëpi, në të cilën ishte shtuar një familje e cila mendohej se jetonte me qera.

Ndërkaq sipas deputetit socialist i zoti i shtëpisë i ka mohuar këta banorë.

Ndërsa në stacionin e tretë Tahiri denoncoi një regjistrim prej 15 personash, të cilat gjithashtu mendohej se jetonin me qera, por në atë ambient nuk është gjetur tjetër veçse një kasolle e pabanuar.

“Sot ju treguam me fakte të pakundërshtueshme, janë votues të importuar në Tiranë, por që nuk banojnë realisht në Tiranë dhe që figurojnë vetëm në listat e votuesve për të manipuluar procesin zgjedhor. Ju treguam njëkohësisht sesi kryetarja e njësisë numër 6 ka sjellë dhe ka regjistruar me leje banimi në Kombinat babanë dhe nënën e saj në një lavazh ku nuk banon njeri. Ju treguam rastin e dytë, ku po këta njerëz, kanë regjistruar në shtëpinë e një banori, pa dijeninë e tij disa qytetarë të tjerë, sikur figurojnë banues atje.

Ju treguan dhe koliben ku sipas Saliut, Lulzim Bashës dhe Luzhjanës banojnë 15 qytetarët, të cilët realisht nuk banojnë as aty e as gjëkundi”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, kjo është dëshmia më e qartë e mentalitetit që ka kjo qeveri, e mentalitetit të Saliut, Lulëzimit dhe të kujtdo tjetër për të manipuluar procesin zgjedhor, me vullnet të plotë për të vënë dorë mbi votën e qytetarëve.

Ai tha se janë përgatitur edhe padi penale për të gjithë ata që kanë vënë dorë nëpërmjet këtij mekanizmi mbi procesin elektoral dhe listat e votuesve dhe së shpejti do dorëzohet në prokurori.

a.y/NOA

KOMENTE